Fletërrufe kundër tre punëtorëve që luanin me top

Nga A2 CNN
24 Prill 2026, 13:16 | Blog

Fletërrufe kundër tre punëtorëve që luanin me top

Nga Enver Robelli

(Mbi një fotografi nga Shqipëria komuniste të fotografit zviceran Hans-Peter Bärtschi)

Hans-Peter Bärtschi (1950-2022) ishte një arkitekt zviceran me shumë talente. Bärtschi bëri emër edhe si autor, fotograf si dhe historian i teknikës dhe ekonomisë. Ai studioi arkitekturë në Universitetin Teknik në Zürich (ETH), ku mori titullin doktor i shkencave teknike.

Që gjatë studimeve, ai u angazhua për ruajtjen e pasurive kulturore brenda strukturës së arkitekturës. Bärtschi mblodhi një dije të pamatshme mbi historinë e re të Zvicrës dhe dokumentoi ndryshimet në pjesë të tjera të botës gjatë udhëtimeve të tij në 120 shtete. Gjatë jetës së tij profesionale, ai realizoi rreth 260 mijë fotografi.

Në vitin 1975 Bärtschi vizitoi Shqipërinë dhe, përkundër kufizimeve nga regjimi komunist, arriti të dokumentojë zymtësinë e asaj kohe në përditshmërinë shqiptare. Në këtë fotografi shihet një fletërrufe nëpërmjet së cilës publikisht njollosen tre punëtorë vetëm për shkak se luanin me top në ranishte. Në një shtet të kontrollit të rreptë totalitar s’dihet ku fillon absurdi dhe kur preken kufijtë e çmendurisë!

Nga udhëtimi në Shqipëri më 1975 janë ruajtur e digjitalizuar 320 fotografi të Hans-Peter Bärtschi.

Burimi: Arkivi i Hans-Peter Bärtschi në ETH-Bibliothek Zürich.

FLETËRRUFE

ARTAN GJATA - punon në U.E.M

FLAMUR BAKO - punon në Kantjer Detar

ILIRIAN BUSHATI - punon në Hekurudhë

ORG. RINISË NË U.E.M, HEKURUDHË DHE KANTJER DETAR.

Këta tre të rinj prishin qetësinë e mijëra punonjësve që pushojnë në plazhin e qytetit tonë duke luajtur me top në ranishte.

Ndërsa organizatat e rinisë ndihmojnë aktivisht për ruajtjen e qetësisë e rregullave në plazh, këta bëjnë të kundërtën.

Pse ju veproni në kundërshtim me urdhëresën e Kom. Ekz. K.P. të rrethit?

Organizatat e rinisë duhet të mbajnë qëndrim ndaj këtyre të rinjve.

Presim përgjigje deri më 30 korrik 1977

GRUPI I KONTROLLIT SHOQËROR I RINISË (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos