Zëri i Rexhep Qosjes mbajti gjallë shpresën, arsyen dhe dinjitetin e kombit shqiptar

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 23:31 | Blog
Zëri i Rexhep Qosjes mbajti gjallë shpresën, arsyen dhe

Nga Elez Biberaj

Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar, një intelektual dhe veprimtar i jashtëzakonshëm që i shërbeu kombit me dije, guxim dhe përkushtim të palëkundur. Ai vinte nga Plava dhe Gucia, një trevë e vogël shqiptare që, megjithë dekada dhunë, shtypje dhe përpjekje të vazhdueshme për asimilim, ruajti me krenari identitetin e saj. Pikërisht nga ajo trevë e skajshme lindi një personalitet i rrallë, një figurë madhore, i aftë të shprehte me qartësi të jashtëzakonshme aspiratat mbarëkombëtare të shqiptarëve.

Në periudhat e vështira, veçanërisht në fillim të viteve ’90, kur hapësirat e tij për t’u shprehur ishin të kufizuara, ai iu drejtua Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, i vetëdijshëm se përmes valëve të Zërit të Amerikës zëri i tij do të arrinte te bashkëkombësit që kishin aq shumë nevojë ta dëgjonin. Disa nga qëndrimet e tij më të rëndësishme u transmetuan pikërisht nga Zëri i Amerikës: intervistat e drejtpërdrejta nga Prishtina; dëshmia para Kongresit amerikan në prill 1990; komentet gjatë momenteve vendimtare të zhvillimeve në Kosovë dhe Shqipëri – nga denoncimi i hapur i shtypjes serbe dhe i politikave diskriminuese të Beogradit, nga kërkesa e Ismail Kadaresë për strehim politik, te demonstratat studentore në Tiranë që hapën rrugën e pluralizmit, rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, pjesëmarrja në Rambuje në vitin 1999, si dhe gjatë luftës, pasluftës dhe shpalljes së pavarësisë. Përmes valëve të Zërit të Amerikës, zëri i tij depërtoi atje ku duhej më shumë, duke mbajtur gjallë shpresën, arsyen dhe dinjitetin e kombit të tij.

Gjatë më shumë se tre dekadave bashkëpunimi profesional me Rexhep Qosen, kam pasur mundësinë të vërej nga afër se parimet që e udhëhiqnin nuk ishin vetëm qëndrime publike, por një bindje e brendshme që e udhëhiqte në çdo rrethanë.

Ndër intervistat e shumta që kam zhvilluar me Profesor Qosen, do të veçoja atë të transmetuar më 28 nëntor 1990, një moment kyç në kulmin e krizës së asaj kohe. Në përgjigje të pyetjes se sa i përgatitur ishte kombi shqiptar për t’u përballur me sfidat e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX, ai paraqiti me qartësi vizionin e tij për rrezikun, përgjegjësinë dhe shpresën kombëtare:

“Ne e kemi historinë e lavdishme, por e kemi të sotmen dramatike... Kjo gjendje mund të zgjasë në qoftë se nuk krijojmë një program kombëtar mbi synimet historike dhe demokratike të kombit shqiptar. Kjo gjendje mund të zgjasë në qoftë se nuk i hedhim flamujt ideologjikë dhe s’arrijmë në pajtimin gjithëkombëtar, duke pastruar kujtesën historike dhe duke u çliruar prej shtysjes së hakmarrjes. Në betejë me vëllain, dihet, nuk korret fitore, por vetëm pesohet disfatë... Jam i brengosur, por nuk jam pesimist. Në jetën e kombit shqiptar gjithmonë kam admiruar qëndresën me të cilën ka ecur nëpër shekuj, vendosmërinë me të cilën është përpjekur për sendërtimin e qëllimeve të veta, krenarinë me të cilën i ka duruar tragjeditë. Në atdhetarizmin shqiptar gjithmonë kam adhuruar gatishmërinë e flijimit për të mirën dhe ardhmërinë e Atdheut. I besoj misionit të madh të popujve të vegjël. Besoj se e nesërmja e kombit shqiptar do të jetë larg më e mirë se e derisotmja. Ashtu qoftë!”

Rexhep Qosja ishte një figurë e jashtëzakonshme, një personalitet i rrallë, i mishëruar në një përkushtim që nuk e shmangu asnjë sfidë dhe që do të mbetet pjesë e qëndrueshme e kujtesës kolektive dhe e vetë mendimit shqiptar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos