
Nga Hisen Berisha, ish-komandant i UÇK
(Kur diskursi kundër UÇK-së në Kosovë dhe liderëve të sajë në Hagë, përputhet me narrativat e Beogradit dhe Moskës.)
Nga thirrjet për “t’i parë prapa grilave” deri te artikulimi i dëshirës për “dënim me burg të përjetshëm”, nuk kemi të bëjmë thjesht me opinione individuale apo devijime retorike, por me një filozofi të mirëfilltë politike që synon delegjitimimin e luftës çlirimtare dhe të vetë themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Kjo qasje, në thelb, nuk dallon nga narrativat që për dekada janë prodhuar në qendra të njohura antishqiptare. Kur e njëjta gjuhë dhe i njëjti diskurs riprodhohet brenda institucioneve të Kosovës, atëherë kemi të bëjmë me një krizë serioze të sistemit të vlerave dhe të vetëdijes shtetërore.
Mungesa e një sistemi të kodifikuar dhe të mbrojtur ligjërisht të vlerave kombëtare ka krijuar një hapësirë të rrezikshme, ku sulmi ndaj vlerave sublime të luftës çlirimtare trajtohet si “liri e shprehjes”, ndërkohë që në çdo shtet normal një diskurs i tillë do të përbënte bazë për përgjegjësi ligjore dhe politike. Nuk mund të ketë neutralitet ndaj përpjekjeve për kriminalizimin e luftës për liri.
Në këto rrethana, reagimi institucional nuk mund të jetë formal apo deklarativ. Kërkohet një përgjigje e qartë dhe e prerë parlamentare. Mazhoranca nuk mund të mjaftohet me distancime simbolike, ajo duhet të ndërmarrë masa konkrete disiplinore, përfshirë përjashtimin nga seancat dhe inicimin e procedurave për heqjen e mandatit të deputetit që cenon rendin kushtetues dhe vlerat themelore të shtetit.
Njëkohësisht, deputetët që përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta kanë detyrim politik dhe moral të reagojnë me vendosmëri. Heshtja e tyre nuk është vetëm mungesë reagimi, por perceptohet si braktisje e përgjegjësisë historike. Bllokimi i punës së Kuvendit, deri në trajtimin institucional të këtyre devijimeve, do të ishte një akt proporcional me peshën e çështjes.
Po ashtu, mungesa e reagimit qytetar dhe institucional duhet të nxisë aktivizimin e organizatave të dala nga lufta. Sepse ata që sot mbahen në Hagë nuk janë individë të izoluar, ata përfaqësojnë një kapitull të tërë të historisë sonë, përkatësisht luftën për liri dhe procesin politik që çoi në pavarësinë e Kosovës. Sulmi ndaj tyre është, në thelb, sulm ndaj këtij misioni.
Le të jemi të qartë se, artikulimi i dëshirës për dënime maksimale ndaj drejtuesve të luftës çlirimtare nuk është thjesht qëndrim politik, është një pozicionim që përputhet me përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të delegjitimuar të drejtën tonë për liri. Një logjikë e tillë, nëse normalizohet, hap rrugën për pasoja të rënda politike dhe juridike, duke vënë në pikëpyetje vetë narrativën e shtetformimit dhe legjitimitetin e pavarësisë.
Prandaj, kjo nuk është çështje e një individi apo e një deklarate. Është vijë ndarëse mes mbrojtjes së shtetit dhe relativizimit të historisë së tij. Dhe në këtë vijë, çdo heshtje është pozicionim. (A2 Televizion)