“Gjithmonë e kam konsideruar veten budalla”, një libër i ri zbulon bisedat intime të Albert Einsteinit

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 15:22 | Blog

“Gjithmonë e kam konsideruar veten budalla”, një

Nga Enver Robelli

Gazeta “Süddeutsche Zeitung” njofton për botimin në gjermanisht të transkripteve të bisedave telefonike që Albert Einstein zhvilloi me të dashurën e tij të fundit, bibliotekaren Johanna Fantova. Dokumentet e gjetura rastësisht në arkivat e Firestone Library në Princeton janë përmbledhur në librin e ri “Unë jam një magnet për të gjithë të çmendurit - Protokollet e Einsteinit”, botuar nga publicisti Peter von Becker. Ky botim hedh dritë mbi vitet e fundit të jetës së gjeniut, duke e shfaqur atë si njeri të thjeshtë, plot humor dhe vetëironi.

Shënimet përbëhen nga vetëm 62 faqe të daktilografuara, të shkruara mes viteve 1953 dhe 1955, deri në vdekjen e Einsteinit. Fantova, e cila kishte njohur shkencëtarin  në vitin 1929 në Berlin, ka shënuar me kujdes në ditarë bisedat e saj me Einsteinin. Fletët e ditarit mbetën të pazbuluara mes mijëra letrash e librash që pas vdekjes së Einsteinit u transportuan fshehurazi në Izrael.

Në këtë vepër Einsteini shfaqet më i afërt se kurrë. Ai nuk e sheh veten si figurë akademike të pagabueshme, kur thotë: “Jo, nuk jam i ditur, jam shpikës origjinal”. Në një bisedë tjetër ai shton: “Gjithmonë e kam konsideruar veten budalla - vetëm ndonjëherë më del diçka për mbarë”. Madje bën shaka me statusin e tij në botën e shkencës: “Fizikanët thonë se jam matematikan, dhe matematikanët thonë se jam fizikan.”

Einstein përshkruhet shpesh si një njeri i izoluar, i lodhur nga kërkesat e pafundme të kolegëve, politikanëve apo të huajve që e kërkonin për çdo gjë. Por njëkohësisht mbetet i ndjeshëm për hallet e njerëzve të zakonshëm dhe i shqetësuar për padrejtësitë e kohës. Nuk i mungon ironia: “Jam një magnet për të gjithë të çmendurit”.

Einstein është kritik ndaj politikës amerikane dhe presionit që Shtetet e Bashkuara ushtronin mbi Kombet e Bashkuara, por edhe i vendosur të mbrojë kolegë si Robert Oppenheimer, të cilët ndiqeshin nga zyrtari antikomunist Joe McCarthy. Por Einstein refuzon të bëhet aktivist politik: idhujt e tij janë Bach, Mozart, Goethe, Gandhi dhe Bertrand Russell.

Ndërkohë, pasioni i tij për shkencën nuk shuhet.

Transkriptet zbulojnë një Einstein që tallet me institucionin e martesës. Më 8 dhjetor 1953 ai thotë: „Isha te fqinjët e mi, ekziston rreziku që djali i tyre të martohet. Për martesën u thashë atyre, se është një përpjekje fatkeqe për ta shndërruar një ngjarje në një gjendje.“

Gjatë viteve në SHBA, Einstein distancohet nga Gjermania, por nuk heq dorë nga gjuha dhe kultura e saj. Botën e sheh me sy kritik, por edhe tolerant. Përmes fjalëve të veta, gjeniu shfaqet si njeri me dyshime, dhimbje dhe batuta, një shpikës origjinal që deri në fund nuk i humbi kurrë as sensin e humorit, as aftësinë për të vënë në dyshim vetveten, shkruan “Süddeutsche Zeitung”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos