Mëngjesin e pamë "kur lindi dielli/djella". Tani le të shpresojmë në mënyrë utopike se do të jetë e ndryshme dita

Nga A2 CNN
20 Shtator 2025, 09:34 | Blog

Mëngjesin e pamë "kur lindi dielli/djella". Tani le të

Nga Afrim Krasniqi

Retrospektivë, 2004. Një ministër i dekretuar, por ende i pa votuar / pa betuar, shoqëroi kryeministrin në Itali në cilësinë e funksionit të ri të pritshëm zyrtar si ministër i jashtëm. U nis në mëngjes, zhvilloi bisedime zyrtare, u rikthye pasdite vonë në Tiranë ku votohej në parlament dhe u rrëzua me votim. Qeveria italiane u ndje e fyer dhe kishte të drejtë, - kishte zhvilluar bisedime me një zyrtar shqiptar që nuk ishte dhe as nuk u bë asnjëherë zyrtarisht ministër!

2019. Presidenti refuzon kandidatin për ministër të jashtëm, e emëroi kryeministrin edhe ministër të jashtëm, ky ia delegon funksionin ushtrues të detyrës zv/ministrit. Për një vend në NATO nuk ishte e zakonshme që ushtruesi i detyrës të ishte shihej si homolog dhe ndaj gjatë muajve në vijim u shmangën ftesa/bisedime në nivele të larta. Më 1997 – një ministër në vizitë në Londër nuk kthehej për të dorëzuar detyrën, kalimi i detyrës u bë me marrëveshje me disa ditë vonesë. Etj, etj, etj.

Shteti bazohet në Kushtetutë dhe rregulla. Kushtetuta përcakton se ministrat propozohen nga kryeministri, dekretohen nga Presidenti, votohen në parlament, betohen para Presidentit dhe pas këtij momenti janë “zyrtarisht” ministra, bëhet dorëzimi/marrje e detyrës dhe nis funksioni kushtetues ekzekutiv. Kjo praktikë e vendosur në Kushtetutën 1998 është zbatuar nga disa kabinete qeveritare dhe më shumë se 100 ministra.

Jemi më 2025. Supozohet se kemi mësuar, së paku në aspektin protokollar. Realiteti? Këshilli i Ministrave zhduku nga faqja e internetit të gjithë ministrat (pa KM dhe zv/KM) 7 ditë përpara se ata të dorëzojnë zyrtarisht detyrën. Një program virtual flet në parlament në emër të qeverisë. Jep leksione morale. Dy ministra zgjidhen për 3-4 ditë njëherësh edhe kryetarë të komisioneve në parlament, - dy funksione të papajtueshme kushtetuese. Dy ministra të tjerë dorëzojnë me ceremoni publike detyrën te pasardhësi dhe këta të fundit e marrin detyrën 1-2 ditë përpara se të dekretohen dhe të betohen, pra përpara se zyrtarisht të mos jenë në atë funksion/të emërohen të rinjtë. Një tjetër ministër delegon funksionet për disa ditë, një tjetër lajmëron shkarkimin e stafit politik dhe emërimin e stafit të tij 24 orë përpara se të marrë detyrën. Etj, etj, etj.

Shteti është një gjë shumë serioze për ta lënë në dorën e cilido, - do të thoshte AL. E bëjnë Kushtetuta, institucionet, aktet ligjore, kultura politike, solemniteti dhe shtetarët. Mungesa e njërit komponent mund të jap efekt domino pengimi, po kur mungojnë dy e më shumë?!

Shqipëria ka pasur gjithnjë qeveri që nga Pavarësia, por vetëm pak vite mirëqeverisje, pak elementë solemniteti, pak institucione funksionale, legjitimitet të brishtë, dhe natyrisht, shumë slogane, por pak reforma dhe kulturë politike të dobët.

Mëngjesin e pamë "kur lindi dielli/djella". Tani si përherë, le të shpresojmë në mënyrë utopike se do të jetë e ndryshme dita...! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos