Berisha-Balla debat për integrimin në Kuvend

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 11:28 | Politikë

Berisha-Balla debat për integrimin në Kuvend

Sali Berisha dhe Taulant Balla u përfshinë në debat në Kuvend për çështjen e integrimit. Kreu demokrat akuzoi mazhorancën se mbylli derën e integrimit, por kreu i grupit socialist tha se po hedh baltë ndaj Shqipërisë.

Sipas Berishës procesi i integrimit është penguar dhe se Shqipëria po dëmtohet në arenën ndërkombëtare për shkak të korrupsionit.

“Integrimin evropian ju e mbyllët, dërgoni poshtë e përpjetë të deleguar të diskredituar, të cilët jo që nuk u zgjidhin ju punë, por përkundrazi neverisin të gjithë ata që i takojnë. E bazoni në telefonata të një njeriu që uroj që të mos i marrë më në telefon, që i kap dhe nuk i lëshon në telefon. Por ky nuk është procesi i integrimit”, u shpreh Berisha.

Në përgjigje të tij, Balla hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se negociatat me Bashkimin Europian nuk janë të bllokuara dhe se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj në procesin e integrimit.

“Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë sonë të përbashkët në Bashkimin Europian, të gjitha piketat e ndërmjetme, detyrimet që kishte Shqipëria, sipas raportit të Komisionit Europian, janë përmbushur.  Ka një procedurë që të gjithë e dimë e cila nga Komisioni kalon tek Këshilli, nga Këshilli tek vendet anëtare, dhe një gjë është e sigurtë, që brenda fundit të majit apo fillimit të qershorit, sikurse u komunikuar pardje nga komisioniera Kos, dhe dje nga zëvendëspresidentja dhe komisionerja e lartë Kaja Kallas, se pritshmëria e Shqipërisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 është shumë realiste, madje po citoj këtu komisioneren Kallas, e cila tha që Shqipëria, bashkë me Malin e zi, duhet të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029. Ky është fakt”, u përgjigj Balla.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos