
Kur me botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami e takuam për t’i marrë disa mendime dhe këshilla, njeriut që kishte mposhtur propagandën serbe në kohën e Luftës së Kosovës
Nga Ruben Avxhiu
James Rubin do të jetë dëshmitari i parë i thirrur nga Mbrojtja në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit në Hagë.
Rubin u bë shumë i njohur për shqiptarët kur si zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe bashkëpunëtor e këshiltar i afërt i Sekretares Madaleine Albright udhëhoqi fushatën e diplomacisë publike amerikane gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Puna e tij kishte rëndësi të madhe. NATO-ja e mundi Serbinë ushtarakisht, por Rubin fitoi betejën më të rëndësishme, atë të opinionit publik, përballë mashtrimeve serbe, propagandës anti-amerikane të vendeve nga Rusia në Kinë, si dhe “pacifistët” e përhershëm në Perëndim që për çdo konflikt ia vënë fajin Amerikës.
Për koinçidencë, James Rubinin e kam intervistuar në kohën kur dolën për herë të parë akuzat e sajuara kundër Thaçit, UÇK-së, Kosovës nëpërmjet raportit famëkeq të eurodeputetit zvicerian Dick Marti.
Rubin ka qenë një lexues dhe mik i hershëm i gazetës “Illyria”, me një miqësi personale me botuesin e saj Vehbi Bajrami.
Kur gazeta “Illyria” festoi 20-vjetorin e saj, Rubin ishte një nga të ftuarit kryesorë të nderit, në mbrëmjen gala në Manhattan, ku edhe u nderua me një dekoratë nga gazeta për punën e tij të madhe në shërbim të Kosovës.
Takimi për ta intervistuar u mbajt në një nga ato shtëpitë e bukura të stilit Townhouse, në zonën e lakmuar e të shtrenjtë njujorkeze, Upper East Side, që është edhe hapësira ku ndodhen të gjitha konsullatat dhe misionet vendeve anëtare të OKB-së.
Ndërtesa e bukur private, me mermerin karakteristik të bardhë dhe kangjellat e zeza ishte vënë në dispozicion Mike Bloomberg agjensisë së lajmeve “Bloomberg News”, e cila për herë të parë po eksperimentonte me një seksion opinionesh dhe editorialesh, në krye të të cilës, ishte vënë James Rubin. Bloomberg ishte vetë në atë kohë kryetar i Bashkisë së Qytetit të New York-ut.
Ishte maji i vitit 2011. Botuesin Vehbi Bajrami kishte biseduar me “Xhemin” si e thërrasin rëndom ata që e njohin, dhe kishte caktuar ditën e intervistës. Shkuam bashkë që në mëngjes. Në çantë kisha përveç diktofonit edhe një aparat fotografik, megjithëse na ishte thënë në mënyrë specifike që nuk do të bëheshin fotografi brenda në mjediseve të agjensisë së lajmeve. Kisha besim se do ta gjenim një moment dhe vend për të fiksuar një pozë për kujtimet tona, edhe nëse nuk do të botohej.
James Rubin njihet edhe si bashkëshorti i gazetares së shquar Christiane Amanpour e cila u shqua në raportimet dhe komentet e saj për ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë. Në fund të viteve 1990, ishin kthyer në një nga çiftet më të fuqishme në Washington, ndonëse në anë të ndryshme të “barrikadës” së betejës informative. Ajo nga ana e medias, ai nga ana e Administratës Clinton.
Gjatë bisedës së ngrohtë plot kujtime personale, përpara intervistës, Vehbiu u përpoq ta bindte që të vinin si çift në festën e gazetës “Illyria”, por në fund nuk ndodhi. Më shkon mendja se, Christiane është shumë më e njohur dhe mund të ketë menduar se Xhemi meritonte që e gjithë vëmendja të përqendrohej te ai.
Mes miqve që ka nderuar Kosova, James Rubin është një nga ata që ka mbetur pak në harresë. Botuesi Bajrami ishte i vendosur që t’i tregonte se shqiptarët nuk e kishin harruar. Në fakt, kur u ngjitën të dy në skenë, në sallën e madhe me gati 1,000 pjesëmarrës – mbi kapacitetin që lejonin rregullat, por edhe kjo një histori tjetër – që të gjithë u çuan në këmbë duke e duartrokitur e thirrur emrin e tij. Ishte një nga momentet kulminante të Darkës, i fiksuar edhe në një fotografi që e botuam në faqen e parë.
Bota e harruar e vitit 1999
I rikujtoj këto momente se biseda me James Rubin u përqendrua pikërisht në akuzat ndaj luftëtarëve të Kosovës si dhe ndryshimit të raporteve në planin ndërkombëtar ku papritur Kosovës po i kërkohej që të shpjegonte veten apo kur fjala e saj dhe e Serbisë merreshin të dyja në konsideratë. Në 1999, pati debate gjithashtu, por atëhere propaganda serbe u mund më lehtë.
A kishte qenë më e dobët ajo, apo kishte Rubin ndonjë talent apo strategji që po mungon sot?
Dy ditë më parë u pezullua Dialogu Strategjik i SHBA-së me Kosovën, ndërkohë që është premtuar të fillojë me Serbinë. Kjo do të ishte e paimagjinueshme në vitin 2011 kur u takuam me James Rubin, por edhe në atë kohë Kosova ndjente presion.
Na shijoi në atë kohë biseda me të dhe ia vlen ta kujtojmë sot se është mjaft aktuale.
Mbase kemi nevojë nganjëherë të bisedojmë me njerëz që i shohin gjërat nga distanca jo vetëm gjeografike por edhe kohore. James Rubin nuk merrej më me Kosovën dhe Ballkanin. Ai buzëqeshi pak me shqetësimet tona dhe e pranoi se ishin vërtet probleme, por tha se amerikanët e kanë një shprehje për to: “probleme të lumtura”.
“Sot vërtet që ju sulmojnë, por ju ndërkohë jeni në shtëpitë tuaja, jeni një shtet i pavarur dhe fitoret e arritura nuk mund t’ua marrin më”, thotë ai. “Sigurisht që kjo fushatë është një problem, por nga ata që në SHBA iu quajmë ‘probleme të lumtura’, probleme që nuk druhesh që të përballesh, se ato më kërcënuese i ke lënë pas vetes”.
Ai gjithashtu shpjegon se kohët kanë ndryshuar. Dikur serbët ishin “personazhi negativ”. Ata drejtoheshin nga një kriminel lufte, injoronin Perëndimin, kryenin krime mbi popullsinë. Ishte e lehtë në atë kohë të bindje botën që të merrte anën e kosovarëve. Sot, kur Kosova ka fituar pavarësinë dhe serbët janë detyruar të bëjnë ndryshimet demokratike të kërkuara nga Perëndimi (të cilat, ai shton se kanë ende shumë rrugë për të bërë), opinion botëror nuk emocionohet më për punë të Kosovës. Përkundrazi, mbizotëron ideja se tani Kosova duhet të mbajë përgjegjësi e të japë llogari ashtu si çdo shtet tjetër i pavarur.
Sot, këtyre që thoshte Rubin, u shtohen përpjekjet e Serbisë për të joshur SHBA-në, BE-në dhe Perëndimin, me mineralet e rralla, me kontribut në prodhimin e municioneve dhe mundësi të korruptuara për investime dhe përfitime personale.
J
ames Rubin foli me thjeshtësi për rolin dhe suksesin e tij në vitin 1999. Ai tha se ishte shumë e lehtë puna e tij e krahasuar me betejat e sotme për opinionin publik ndërkombëtar.
“Në kohën time kishte vetëm dy apo tre stacione televizive që jepnin lajme 24 orë në ditë. Ky lloj mjeti informues ishte në shpërthim e sipër, por ende ishte e lehtë që të punoje me të”, na tregoi ai. “Çdo ditë jepja një konferencë shtypi prej gjysëmore dhe ajo shihej në gjithë botën. Unë kisha mundësi të madhe pra që t’i shpjegoja botës pikëpamjet tona”.
Që në 2011 kur folëm me të, dhe akoma më shumë në kohën tonë, me vërshimin e rrjeteve sociale dhe platformave të reja, opinioni bombardohet me shumë më tepër informacion sesa mund të konsumojë. Ndërsa atëhere informacioni ishte më i monopolizuar sesa duhet, sot është më i shpërqendruar sesa duhet.
Mund të thuhet pa frikë se kemi qenë me shumë fat që lufta në Kosovë ndodhi përpara ardhjes së rrjeteve Facebook apo X (tuitër).
Ndërsa për vete tregohet modest, ish-Zv-Sekretari i Shtetit është bujar në dhënien e meritës shefave të tij në politikë: Presidentit Clinton dhe Sekretares Albright.
“Është tashmë një fakt i njohur se zonja Albright ishte mbështetësja më e fuqishme e ndërhyrjes në Kosovë në administratën e Presidentit Clinton”, sjell ndërmend ish-zëdhënësi Rubin. “Presidenti ia la asaj në dorë artikulimin në publik të arsyeve të ndërhyrjes, gjë e cila pastaj ishte puna ime si zëdhënës i saj”.
Por ishte e rëndësishme, shpjegon ai, që Presidenti Clinton kërkonte me çdo kusht që politika jonë për Kosovën të shpjegohej në mënyrë të atillë që do të fitonte përkrahje jo vetëm në SHBA por në gjithë botën. Për ta ngacmuar që të kapërcente kortezinë e modestisë, i thashë se nëse gjithshka u varka nga rrethanat historike dhe media, atëhere roli personal i komunikuesit mbetet që të jetë minimal. Aty Rubin pranoi se angazhimi tij në atë kohë ishte në fakt një faktor më shumë.
“Ka një shprehje që thotë: Asgjë nuk të bind si bindja”, tha, duke kujtuar atë kohë. “Unë isha shumë i bindur për atë që flisja. Nuk isha duke lexuar thjesht fjalë në letër apo duke bërë detyrën. Unë kisha qenë vetë pjesëmarrës në procesin vendim-marrës në Departamentin e Shtetit, si një bashkëpunëtor i afërt i zonjës Albright. Kisha mësuar shumë, dija fakte, dija emra, mora pjesë drejtpërdrejt personalisht në procesin e bisedimeve duke folur edhe me UÇK-në. Besoja se duke ndërhyrë po bënin një veprim humanitar duke shmangur katastrofën që kërcënonte popullin e Kosovës. Nuk është çudi që ata që kanë ndjekur daljet e mia në publik ta kënë vënë re bindjen me të cilën komunikoja dhe në proces, të jenë bindur edhe vetë se po bënin atë që duhej”.
“Merruni me akuzat, asnjëherë më akuzuesin!”
Sot, ai do të flasë si dëshmitar për akuzat që përmblidhen në padinë kundër Hashim Thaçit. Në kohën kur folëm me të, këto akuza ishin pjesë e një raporti të prodhuar nga Dick Marti dhe e vetmja gjë negative në atë kohë ishte dëmtimi i imazhit të Kosovës dhe luftës së saj. Në atë kohë nuk ishte në horizont ndonjë gjykatë apo padi, ndonëse mundësia ekzistonte.
Prandaj, edhe biseda jonë u përqendrua më shumë te ajo se çfarë duhet të bënin shqiptarët për t’iu përgjigjur atyre. Epërsia morale e UÇK-së sipas tij nuk do të cënohej dhe kjo nuk do të thoshte se krime nuk ka pasur, por ato nuk kanë si t’i vishen një ushtrie që ka dënuar hapur çdo sulm ndaj civilëve.
“Shiko, që mund të ketë pasur veprime të dënueshme në kohën e luftës, kjo nuk duhet të çudisë askënd”, shpjegon James Rubin. “Në kohëra kur mbizotëron vdekja, njerëzit mund të marrin vendime që nuk do t’i merrnin kurrë sot”.
Por këshilla e tij është që shqiptarët të mos bien në kurthin e teorive të konspiracionit. “Ato janë një vorbullë nga e cila nuk del më nëse rrëshqet brenda”.
“Këshilla ime për udhëheqësit shqiptarë është që të mos bien në këtë kurth. Kur përballen me akuza, të merren me akuzat dhe jo me akuzuesin. Të mos i shpenzojnë energjitë duke demaskuar qëllimet e akuzuesit se kjo në vend që të ndihmojë, në fakt të dëmton. Merruni vetëm me akuzat. Lexojini faktet një nga një dhe me qetësinë e një avokati në gjyq, paraqisni kundërfaktet pa emocione dhe inate”, këshillon ai.
James Rubin thotë se e kupton reagimin emocional: “Të gjithë jemi të tillë kur na vënë pa të drejtë përpara akuzave të rënda. Mirëpo, në këto momente duhet gjetur qetësia për të vepruar në mënyrë të kthjellët. Duke folur vetëm për Dick Marty-n rrezikon të mbeten pa përgjigje akuzat e tij. Akuzat dhe jo akuzuesi janë ato që meritojnë vëmendje.”
Nga ana tjetër, udhëheqësit e Kosovës duhet të kujdesen kryesisht vetëm për një gjë, ta bëjnë që të lulëzojë shteti i ri i Kosovës. “Kjo është hakmarrja dhe përgjigjia më e mirë, ndaj çfarëdolloj akuze”, na tha ai. (A2 Televizion)