Nga Enver Robelli
Duhet të jetë momenti më dramatik në jetën e një prindi: e ke përcjellë në mëngjes fëmijën në shkollë dhe pak para drekës të lajmërojnë se duhet të shkosh me ngut në shkollë, sepse “ka ndodhur diçka”. Në mbrëmje kthehesh në shtëpi si prind me lajmin që s’e përthekon dot me fjalë: në mesin e të vrarëve është edhe fëmija yt, vajza jote, djali yt. 9 njerëz, nxënës – 6 vajza, 3 djem - kanë mbetur të vrarë të martën në qytetin e Grazit në Austri, jo larg kufirit me Slloveninë. Siç bëjnë me dije aktivistë të komunitetit shqiptar në Graz, mes viktimave është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova. (I vdekuri i 10-të është vrasësi. Ai ka vrarë veten. Ai kishte qenë dikur nxënës në këtë shkollë, por i dështuar). Brenda 10 viteve numri i poseduesve të armëve në Austri është rritur nga 200 mijë në 270 mijë. Vrasësi i posedonte armët legalisht. Si 21-vjeçar! I kishte blerë para pak ditësh. (A2 Televizion)