"Një rebel nonshalant i Kosovës properëndimore"

Nga A2 CNN
10 Qershor 2025, 11:40 | Blog

"Një rebel nonshalant i Kosovës properëndimore"

Nga Enver Robelli

Me rastin e vdekjes së dr. Bujar Bukoshit, kryeministër i Kosovës.

1.

Nonshalanca nuk domethënë pakujdesi. Më shumë ka kuptimin e shpengimit dashamirës. Dr. Bujar Bukoshi ishte, në mënyrën e tij krejt origjinale, një kampion i nonshalancës. “Hajde se kam sjell rrush nga vreshti në Suharekë”, më tha në një ditë vere të vitit 2017. Mbante shpinën me dorë, tha se ndjente një si dhimbje të lehtë, por nuk vërehej ndonjë shqetësim në fytyrën e tij. Edhe kur i doli diagnoza e rëndë, e ruajti atë humorin e tij nonshalant, shpeshherë të zi. Tha: “Ku më gjeti mua kjo sëmundje kur në këtë botë jetojnë, për shembull, 1,2 miliardë kinezë”. Me vullnet të pashoq, me ndihmën e familjes dhe të shumë miqve po aq sa u përballë me sëmundjen, aq edhe u tall me të. Sot në orët e hershme të mëngjesit Bujar Bukoshi, kryeministri i parë i Republikës së Kosovës, mbylli sytë.

2.

E shkruaj këtë tekst për Bujarin si mik e bashkëbisedues, jo në radhë të parë si politikan. Nëpër fazat dramatike që ka kaluar Kosova kur ai u mor me politikë, kthesat e mëdha, pritjet e mëdha, dëshirat e mëdha, ëndrrat e mëdha kanë qenë po aq të shpeshta sa dëshpërimet e dështimet, shpesh pa fajin e tij. Por në fund me rëndësi është rezultati: më 10 qershor 1999 Bujar Bukoshi po bëhej gati të kthehej në Kosovën e çliruar pas gati një dekade në ekzil. Një ditë më parë forcat serbe kishin nënshkruar kapitullimin në Kumanovë, më 10 qershor 1999 ishin ndërprerë sulmet e NATO-s. Faktikisht, kjo është data e çlirimit të Kosovës. Mund të ketë diçka simbolike dhe hyjnore që ditëvdekja e tij përputhet me 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

3.

Përpikëria e tij ishte gjermane. “Për 7 minuta jam te restorant Collection”. Vinte me një xhip të vjetër, një relikt që kishte mbetur nga beteja e Koshares. Pa truproje, pa poza, pa skena të neveritshme të politikanëve ballkanikë. Porosiste një kafe, ndërronte ndonjë fjalë me kamerierin, hapte kutinë e cigareve dhe niste një udhëtim nëpër historinë e re të Kosovës. Kjo bredhje fillonte në postën e Suharekës, në Prizrenin e viteve 1960-të, në kohën e errët të represionit të Aleksandër Rankoviqit, në Beogradin e vitit 1968 të përfshirë nga protestat studentore, në Berlinin e ndarë të viteve 1980-të, aty ku Bujari doktoroi në fushën e urologjisë dhe u kthye për të shërbyer në spitalin më të madh të Kosovës në Prishtinë. Ashtu siç kishte shërbyer në vitet 1970-të në Drenas. Dr. Bujar Bukoshi ishte në mesin e atyre shqiptarëve të Kosovës që nuk ishin inferiorë ndaj të tjerëve në Jugosllavinë e atëhershme socialiste. Mund të fliste për mjekësinë dhe për letërsinë si i barabartë me çdokënd nga Lubjana në Shkup. Si përfaqësues i një shoqërie shqiptare që po përpiqej të kapte trenin e emancipimit. Një shoqërie që menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ishte ende në terr, me rreth 50 për qind burra analfabetë dhe mbi 70 për qind gra analfabete. Ndërsa ishte student në Beograd, vëllai i tij u arratis në Shqipëri. Ndonëse Jugosllavia ishte shtet represiv, autokratik, me elemente të diktaturës, Bujari nuk u godit nga ndonjë dënim kolektiv, siç praktikohej në Shqipëri, për shembull. Vazhdoi studimet, diplomoi, më vonë vajti në Gjermani, mësoi gjermanisht dhe u specializua në një fushë të rëndësishme mjekësore. Në Prishtinën e viteve 1980-të ai i ra në sy regjimit si i papërshtatshëm politikisht. Për këtë u ndëshkua, për shembull duke mos i dhënë banesë, ndërkohë që favorizoheshin edhe punëtorë teknikë për shkak të lojalitetit ndaj regjimit.

4.

“E quaja veten kryeministër në ekzil, por në thelb isha, si shumë kolegë të tjerë, veç një trokitës në dyert e mëdha dhe vështirë të depërtueshme të diplomacisë perëndimore”, më tha në një ditë të bukur me diell ndërsa po notonim drejt një ishulli në Ksamil, kur Ksamili ende ishte fshat me dy shezlonë dhe një gjysmë restoranti. Ishte kryeministër i një shteti më shumë virtual, por jo për t’u injoruar. Përparësia e politikanëve të Kosovës të viteve 1990-të ishte sa absurde aq edhe fatlume: në krahasim me figurat e tjera ballkanike me tipare të ashpra, dr. Bujar Bukoshin mund ta ngatërroje me një mjek gjerman, të cilit ia beson hallet e tua shëndetësore, ndërsa dr. Ibrahim Rugovën me një kritik letrar që karrigen në lokal nuk e shtynë, por e ngre në ajër dhe e vendos në vendin e vet për të mos penguar mysafirët. “Na habitën me normalitet njerëzor”, më tha vite më vonë një gjeneral gjerman në një takim buzë liqenit të Ohrit, ku po mbahej një nga ato konferencat e organizuara nga fondacionet perëndimore.

5.

Kur nga mesi i viteve 1990-të u pensionua korrespondenti i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Viktor Meier, Bujar Bukoshi menjëherë e angazhoi si këshilltar. Në një fotografi nga ajo kohë, shihen dr. Rugova, dr. Bukoshi dhe dr. Meier duke hyrë në Departamentin e Shtetit në Washington. Kontaktet e Bujarit me gazetarët gjermanë kanë qenë të afërta dhe me kalimin e viteve miqësore. Ata e shihin Bujarin si “gjermanin e Prishtinës”, jo vetëm pse fliste gjermanisht, por edhe për shkak të shpirtit të tij kryengritës. Pas pavarësisë së Kosovës Bujar Bukoshi u gjend në postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Një ditë më mori në telefon dhe më tregoi se do vinte të nesërmen në Zürich e pastaj do të shkonim te Viktor Meier në shtëpi për t’ia dorëzuar dekoratën që presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, ia kishte ndarë gazetarit gjerman (i cili ishte zviceran i lindur, andaj jetonte afër Zürichut). Erdhi Bujari në Zürich, pa pompozitet, s’kishte kërkuar as veturë, as dramë ceremoniale nga ambasada e Kosovës në Bern apo Konsullata në Zürich. Morëm një taksi dhe më kujtohet që shoferi gati nuk deshi të na i marrë paratë për shërbimin pasi Bujari i foli gjerë e gjatë për shtetin afrikan prej nga vinte shoferi dhe për diktatorin e atij vendi që kishte sunduar në vitet 60-të apo 70-të. “Keni qenë atje?”, pyeti taksisti. “Jo, jo, veç kam lexuar”, u përgjigj Bujari.

Viktor Meier dhe zonja e tij na pritën me shumë dashamirësi dhe duke kujtuar të kaluarën që herë-herë - atëbotë - dukej se nuk do të kalonte kurrë. Ishte një moment lehtësimi për dy burra që secili në mënyrën e vet dhe me pasion kishin ndihmuar që Kosova të jetë e pavarur. Viktor Meieri me shkrimet e tij të mprehta mbi ngjarjet në Jugosllavi, Bujar Bukoshi me kontributin e tij në një periudhë të vështirë të historisë së Kosovës. Në vjeshtën e vitit 2014 shkuam prapë në fshatin e Viktor Meierit afër Zürichut, kësaj radhe për të marrë pjesë në meshën lamtumirëse në kujtim të tij. Ai kishte ndërruar jetë më 22 nëntor 2014.

“Shihemi te vreshta në Suharekë”, më tha Bujari para se të merrte trenin drejt aeroportit të Zürichut. U fut në vagon si njeri krejt i zakonshëm. Nuk ishte takimi ynë i fundit, por m’u duk sikur atë ditë, pas meshës dhe drekës në kujtim të Viktor Meierit, dr. Bujar Bukoshi po kthehej në shtëpi me një ndjenjë krenarie se kishte qenë jo vetëm dëshmitar i një kapitulli të rëndësishëm të historisë së Kosovës./ Ekskluzivisht për A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos