Në terrenin e çmendurisë

Nga A2 CNN
24 Prill 2025, 07:48 | Blog

Në terrenin e çmendurisë

Nga Enver Robelli

Një politikan shqiptar kishte publikuar në profilin e tij në Facebook një deklaratë korrekte mbi vdekjen e Papës. Deklarata të tilla janë pjesa më normale e komunikimit publik dhe politik. Pra, politikani shqiptar nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme. Ajo që është e jashtëzakonshme, janë të ashtuquajturat komente të lexuesve. Prej rreth 80 komenteve në profilin e politikanit shqiptar, afërsisht gjysma janë me përmbajtje fyese si ndaj politikanit shqiptar ashtu edhe ndaj atij që kaloi në amshueshmëri.
Vlojnë aty fjalë vulgare, mallkime, kërcënime, “lutje” për vdekjen e shpejtë edhe të politikanit shqiptar që ka bërë postimin si dhe shumë e shumë formulime të llahatarshme që për shkak të higjienës publike nuk po i citoj. Disa komentues fshihen ashiqare pas profileve të rrejshme, disa të tjerë nuk kanë frikë dhe komentojnë, pra llomotisin, me emër e mbiemër të plotë. Ka mes këtyre huliganëve digjitalë edhe shqiptarë që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Itali e gjetiu në botë.
Prej nga buron kjo çmenduri e këtyre njerëzve? Pse janë kaq mizorë këta njerëz? Mund të mos pajtohesh me një politikan, por t’ia dëshirosh vdekjen? Publikisht? (Keqpëdoruesit e tillë të shkronjave me siguri për veten mendojnë se janë burra të mirë, familjarë të devotshëm, qytetarë të përgjegjshëm. Po të shihnin veten në pasqyrë do të kuptonin se janë - fundërrina).
Si është e mundur që aq shumë njerëz në shoqërinë shqiptare (pa marrë parasysh a jetojnë në Ballkan apo në diasporë) e kanë humbur çdo kontroll mbi veten dhe i japin gjuhës pa menduar fare, duke nxitur urrejtje, duke gënjyer, duke përlyer tjetrin, duke e etiketuar si tradhtar? Dhe a ka ilaç kundër kësaj murtaje digjitale? Kundër këtij linçimi të përditshëm? Kundër këtij stigmatizimi e dehumanizimi?
Kryeimami i Universitetit al-Azhar në Kajro, Ahmad al-Tajeb, e vlerësoi Papa Fraçeskun si mik të ngushtë të myslimanëve. Në rrjetin X, al-Tajeb shkroi: “Sot bota humbi një simbol të humanizmit”.
Huliganët shqiptarë nuk janë në gjendje të reflektojnë. Për ta është më lehtë të marrin armën në dorë (“telefonin e mençur”) dhe të shkruajnë disa fjalë të fëlliqura. Të tillët nuk janë besimtarë, janë barbarë! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos