Nga Enver Robelli
Në vitin 2011 Kantoni i Glarusit në Zvicër vendosi t’i shpërbëjë 25 komuna. Arsyeja? Edhe në një Kanton relativisht të pasur në një vend shumë të pasur si Zvicra ekzistenca e 25 komunave ishte e tepërt. Nuk kishte mjaft para për t’i financuar 25 administrata komunale. Politikanët racionalë u bënë bashkë dhe vendosën: nga 25 komuna do të bëhen vetëm 3!
Kjo reformë e rëndësishme bëri jehonë në mbarë Zvicrën. Buxheti i Glarusit është rreth gjysmë miliardë franga, por Glarusi është 16 herë më i vogël se Kosova. Krejt qëllimi i reformës administrative ka qenë rritja e efikasitetit të administratës dhe kursimi i parave të taksapaguesve.
Në total, numri i komunave në Zvicër ka rënë mes vitit 2000 dhe 2017 nga 2899 në 2255, dhe më 1 janar 2025 ka arritur në 2121 komuna – që do të thotë një reduktim prej 778 komunash brenda 25 vjetësh. Ky trend vazhdon.
Kosova, ndër shtetet me territor më të vogël në Europë, i ka 38 komuna. 10 prej tyre janë themeluar ekskluzivisht për komunitetin serb. Një kompromis i madh, i dhimbshëm që Kosova e ka bërë në kuadër të negociatave për Planin e Ahtisaarit në bazë të të cilit është shpallur pavarësia më 2008. Është shumë e qartë që disa nga këto komuna nuk i plotësojnë as kushtet elementare për të qenë të tilla. Siç nuk i plotësojnë as disa komuna me shumicë shqiptare. Por gjendja është si është, kompromiset janë bërë tashmë, ndryshimet nuk janë të lehta për shkak se secili bajraktar e mbron interesin e tij lokalist duke injoruar interesin e përgjithshëm, mandej ekzistojnë kufizimet nga Plani i Ahtisaarit.
Çuditërisht tani ka kërkesa nga një përfaqësuese e komunitetit boshnjak (dhe ndonjë mbështetësi të saj) për të themeluar edhe një komunë për këtë bashkësi, e cila nuk është e koncentruar në një pjesë të Kosovës. Kërkesës i vjen një duhmë shantazhi. Çdo komunitet në Kosovë duhet të gëzojë të drejta të plota në përputhje me standardet më të larta europiane. Por këto të drejta nuk realizohen duke themeluar komuna të reja.
Këto të drejta secili komunitet i realizon duke u integruar në shtetin e Kosovës (gatishmëria për t’i integruar pakicat duhet të ekzistojë edhe nga shumica). Por në një vend me mbi 90 për qind popullsi shqiptare është jetike që pjesëtarët e një komuniteti të vogël të mësojnë gjuhën e shumicës për të pasur më shumë shanse në tregun e punës - në ekonominë private dhe në administratë shtetërore. Secila qeveri e Kosovës duhet të investojë në komuna.
Është shumë e qartë që një pjesë e komunave të vogla të Kosovës nuk kanë staf mjaftueshëm të kualifikuar për të menaxhuar territorin komunal. Se ku do t’i gjejë komuna imagjinare e Reçanit, për shembull, urbanistët, inxhinierët, ekonomistët, specialistët e tatimeve, juristët me përvojë për të menaxhuar një komunë mbetet sekret i politikanes që e ka hedhur në opinion këtë kërkesë absurde.
Edhe komuna të tjera të vogla kosovare që sundohen nga bajraktarët shqiptarë apo vojvodët serbë nuk i kanë këto kapacitete dhe po të ishin të mençur politikanët do të mendonin për një reformë administrative në të mirë të të gjithëve, rritjes së efikasitetit dhe kursimit të parave.
Për ekzistencën e Komunës së Mamushës, ta zëmë, opinioni merr vesh kur arrestohet ndonjë zyrtar që duke shkelur ligjin ua ka dhënë shtetësinë kosovare 124 personave të një shteti tjetër. Shtetësia e Kosovës është bërë atraktive për shtetas vendesh që nuk gëzojnë liri lëvizjeje në Zonën e Schengenit. Për ironi mbiemri i zyrtarit ndërkohë të dënuar të Mamushës është i ngjashëm me emrin e një fisi historik shqiptar të trevës së Dukagjinit. Për Shtërpcën dëgjohet kur matadorët lokalë dhe matrapazët shqiptarë merren vesh për të shkatërruar Brezovicën. Ka plot shembuj edhe nga komunat me shumicë shqiptare ku kryetarët të vetmet gjurmë të dukshme që kanë lënë janë ato të korrupsionit.
Duket se qëllimi i kërkesave për themelim komunash të reja është zhvatja e një pjese të buxhetit sa për të hapur ca vende fiktive të punës. A nuk do të ishte më mirë që milionat që do duheshin për themelim të një komune të investoheshin sistematikisht në përmirësimin e infrastrukturës së fshatrave të komunitetit përkatës? Sigurisht që po. Kështu do të ndalej pak edhe trendi i ikjes masive në Perëndim të të rinjve. Me një komunë të re ky trend nuk ndalet. Siç nuk po ndalet as ndër shqiptarë, as ndër serbë. Përkundër një kalaveshi me komuna. (A2 Televizion)