Nga Enver Robelli
Temë e ditës së sotme (e mërkurë) në Gjermani është një «manifest» i nënshkruar nga mbi 100 politikanë dhe përkrahës të Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD), të cilët – lexoni me kujdes! – kërkojnë dialog me Rusinë e diktatorit Vlladimir Putin, kritikojnë «retorikën alarmante ushtarake» dhe bëjnë thirrje të ndërpritet stacionimi i raketave amerikane me rreze të mesme veprimi në Gjermani.
Nënshkrues të «manifestit» janë edhe deputetët prominentë të SPD-së Rolf Mützenich dhe Ralf Stegner. Mützenich ka qenë shef i grupit parlamentar të SPD-së në parlamentin gjerman. Stegner është takuar në prill fshehurazi me përfaqësues rusë në Baku të Azerbajxhanit. Të dy i përkasin krahut të ashtuquajtur pacifist të SPD-së dhe të dy janë anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit gjerman (Bundestag).
«Manifesti» i tyre kritikon qeverinë e kancelarit konservator Friedrich Merz dhe SPD-në, e cila është pjesë e qeverisë. Pra, Mützenich, Stegner dhe të tjerët atakojnë edhe partinë e tyre me kryetarin Lars Klingbeil, i cili ka theksuar se qëndrimi i partisë është se siguria nuk mund të arrihet me Rusinë, por kundër Rusisë. Krerë të SPD-së janë distancuar nga «manifesti», ndërsa në mediat kryesore gjermane është ushtruar kritikë e ashpër. Gazeta konservatore «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) i ka quajtur nënshkruesit e «manifestit» «pëllumba në portën e ferrit». FAZ shton se refuzimi i këtyre politikanëve për të parë realitetin të lë pa frymë. Kritika e ashpër dhe absurde e politikanëve që akuzohen si «miq të Putinit» u publikua pak ditë para Kongresit të SPD-së dhe para Samitit të NATO-s në Hagë.
Për politikanët në Kosovë, të cilët janë të zënë me intrigat e tyre provinciale, edhe një detaj nga «manifesti» skandaloz i socialdemokratëve gjermanë: nënshkruesit akuzojnë fuqitë perëndimore se me sulmet e NATO-s kundër Serbisë më 1999 e kanë prishur rendin e paqes në Europë. Tri ditë pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës më 2022, kancelari i atëhershëm Olaf Scholz pati thënë se me këtë akt agresioni është prishur në mënyrë fundamentale rendi i paqes në Europë. Antiamerikanët prorusë të SPD-së mendojnë ndryshe dhe pozicionohen si përkrahës të Sllobodan Millosheviqit. Në vitin 2025. – Kur është seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës? (A2 Televizion)