Paqja që solli luftën, dhe lufta që solli paqen

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2025, 12:30 | Blog

Paqja që solli luftën, dhe lufta që solli paqen

Nga Evarist Beqiri

Në vitin 1918, Lufta e Parë Botërore përfundoi. Bota mendoi se kishte hyrë në epokën e paqes. Në Paris, liderët europianë e quajtën atë “lufta për t’i dhënë fund të gjitha luftërave”. Por vetëm njëzet vjet më vonë, ushtria italiane marshoi sërish në Shqipëri dhe pak muaj më vonë ushtria gjermane në Poloni. Kështu, më 1 shtator 1939, nisi Lufta e Dytë Botërore. Historia na mësoi se paqja nuk kishte qenë veçse një iluzion i brishtë.

Por pse dështoi paqja e vitit 1919 dhe pse ajo e vitit 1945 funksionoi?! Këtu fshihet një nga leksionet historike më të rëndësishme të shekullit XX. Traktati i Versajës pas Luftës së Parë nuk ishte një marrëveshje për të ndërtuar paqen, por një akt hakmarrjeje. Gjermania u trajtua si fajtore absolute. Asaj iu kërkuan reparacione marramendëse, iu kufizua ushtria dhe iu morën territore. Për fituesit, kjo ishte drejtësi. Por, për gjermanët, ishte poshtërim. Pikërisht në këtë furrë u gatua ekstremizmi që solli Hitlerin dhe Luftën e Dytë Botërore. Thënë ndryshe, Versaja nuk e mbylli luftën. Ajo vetëm e shtyu përkohësisht. Ky fund shënoi fillimin e një tjetër katastrofe globale.

Pas vitit 1945, fituesit ndryshuan strategji. Gjermania dhe Japonia u pushtuan ushtarakisht, por jo për t’u nënshtruar, por për t’u rindërtuar. Plani Marshall solli miliarda dollarë për të ringritur ekonominë europiane. Në Berlin, në vend që të mbillnin varfëri, amerikanët dhe aleatët mbollën demokraci. Ish-agresorët u kthyen në aleatë.

Kjo strategji ishte në themelet e projektit euro-atlantik që ne njohim sot. Dy kolonat kryesore të këtij rendi të ri, ishin BE dhe NATO, të cilat kanë garantuar një paqe 80-vjeçare në Europë. Një moment delikat shënuan luftërat në ish-Jugosllavi. Me fundin e tyre u korrigjua edhe padrejtësia historike ndaj shqiptarëve. Por, me shpërthimin e Luftës në Ukrainë dhe në Gaza, rendi global u vendos para një prove zjarri, e cila po vijon që ta sprovoj...

Pas Luftës së Parë u krijua Lidhja e Kombeve, një organizatë pa dhëmbë, që nuk mundi të ndalonte pushtimet italiane në Shqipëri dhe Etiopi apo agresionin gjerman në Europë. Pas Luftës së Dytë, u ngrit Organizata e Kombeve të Bashkuara. OKB-ja është një organizëm jo i përsosur. Megjithatë, të paktën krijoi një forum ku të mëdhenjtë flisnin përpara se të vepronin. Por, konfliktet e fundit globale i kanë nxjerr akoma më tepër në pah dobësitë e OKB-së.

Natyrisht, një tjetër faktor vendimtar janë armët bërthamore. Frika se një luftë e tretë do të sillte fundin e qytetërimit i bëri të gjithë më të kujdesshëm. Lufta e Ftohtë nuk ishte pa kriza. Megjithatë, bota shmangu një tjetër katastrofë globale. Ndërkohë, krizat e sotme ndërkombëtare na tregojnë se rendi global është në krizë dhe po ndryshon. OKB-ja duhet të reformohet për t’ju përshtatur botës së re.

Mësimi historik është i qartë. Pas vitit 1918, fituesit kërkuan hakmarrje dhe nënshtrim. Pas vitit 1945, ata kërkuan bashkëpunim dhe rindërtim. Paqja e qëndrueshme nuk lind nga poshtërimi i kundërshtarit, por nga aftësia për ta kthyer armikun e djeshëm në partner të së nesërmes.

Bota sot është bërë më e paparashikueshme. Ajo po përballet me konflikte të reja dhe tensione të mëdha gjeopolitike. Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë po ndryshon. Qoftë në Lindjen e Mesme, qoftë në Europë, qasja aktuale e SHBA-ve, po shmang angazhimin e drejtpërdrejtë ushtarak. Ndërkohë nga ana tjetër, SHBA-të po përpiqen që të kenë një prani më strategjike dhe një rol stabilizues, duke u shfaqur si paqe-bërës.

Historia na mëson, se shpesh fitorja nuk garanton paqen. Vetëm drejtësia dhe bashkëpunimi e bëjnë këtë të mundur. Prandaj, duke kombinuar me zgjuarsi, mjetet më efikase që diplomacia disponon, si forcën ushtarake ashtu edhe ligjin ndërkombëtar, njerëzimi mund të mbaj sërish gjallë flakën e përjetshme të idealit të drejtësisë dhe paqes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos