“Pavarësia e Kosovës nuk është kapriçio e një superfuqie”

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 17:59 | Blog

“Pavarësia e Kosovës nuk është kapriçio e

Nga Ruben Avxhiu

Ajo ishte fitorja e radhës në historinë e njerëzimit, e një populli i cili çlirohet nga pushtuesi dhe kolonizatori i tij

Një dokument nga viti 1986 pretendon se SHBA kishte një plan për ta pavarësuar Kosovën brenda vitit 2000.

I zbuluar dhe postuar nga Fron Nahzi, i cili ka shkruar një libër për lëvizjet shqiptaro-amerikane në SHBA, dokumenti përmban planin amerikan që synon të ndëshkojë Jugosllavinë nga inati i mbështetjes që po i jep Gadafit të Libisë, duke ia shkëputur Kosovën.

Për këtë, veç të tjerash, do të angazhohej komuniteti shqiptaro-amerikan që të ngrinte çështjen e Kosovës dhe zhvillime të tjera.

Nuk e di si është puna e atij dokumenti, por strategjia e përshkruar në të absolutisht nuk ka qenë politikë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jo vetëm që SHBA nuk është përpjekur ta shkatërrojë Jugosllavinë si e kanë akuzuar shpesh nacionalistët serbë si dhe majtistët ekstremë në vite, por edhe kur Evropa Perëndimore njohu pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë në 1991, SHBA vijoi këmbëngulte se Jugosllavia mund të mbijetonte e bashkuar në një formë tjetër.

Në 1992, pas shumë presionesh, sidomos prej Kongresit, medias, aleatëve, dhe opinionit publik si dhe duke parë pakthyeshmërinë e situatës në Ballkan sidomos prej ekstremizmit të qeverisë së Millosheviqit, SHBA më në fund njohën republikat e shkëputura.

Aq më pak kishte interes në Washington për pavarësinë e Kosovës. Jo vetëm në vitet 1980, por edhe shumë më vonë. Lufta e UÇK-së vlonte në Kosovë, kur kur Sekretarja e Shtetit dhe Departamenti i bënin presion Ibrahim Rugovës që të merrte pjesë në zgjedhjet serbe për të mundur Millosheviqin.

Në Rambuje, kur shqiptarët u detyruan të firmosin për t’i hapur rrugë paqes në Kosovë, në asnjë moment nuk është premtuar pavarësia, përkundrazi.

Shqiptaro-amerikanët e dinë se në sa e sa takime pas çlirimit të Kosovës, zyrtarët amerikanë janë përpjekur të na sqarojnë se çlirimi nuk ka pasur synimin të sjellë pavarësinë dhe se zgjidhja e vetme në tavolinë ishte një autonomi e plotë por pa pavarësinë.

Pikëpamjet e SHBA-së kanë ndryshuar ngadalë gjatë viteve, për shkak të një gërshetimi faktorësh ndër të cilët edhe lobimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, qëndresa plot sakrifica e popullit të Kosovës, kryeneçësia, racizmi por edhe pafuqia e Serbisë, mungesa e alternativave të tjera të sigurisë për zgjidhje.

Ndryshe nga çfarë imagjinojnë dhe propagandojnë ata që për çdo gjë ia vënë fajin Amerikës, pavarësia e Kosovës nuk ishte kapriçio e një superfuqie, por fitorja e radhës në historinë e njerëzimit e një populli kundër pushtuesit dhe kolonizuesit të vet.

Shqiptarët e Amerikës nuk kanë punuar e sakrifikuar për Kosovën dhe kauzën shqiptare sepse dikush në qeverinë amerikane vendosi t’i përdorë si të ishin vegla pa identitet dhe aftësi vendim-marrjeje, Ata në asnjë moment nuk i kanë pushuar përpjekjet e tyre për të dëshmuar të vërtetën për kombin e tyre kudo ku kanë jetuar.

Jo vetëm që SHBA nuk ka qenë një hap përpara tyre, por përkundrazi, fillimisht në Washington, askush nuk e dinte çfarë ishte Kosova, nuk donte të ngacmohej Jugosllavia si partnere e rëndësishme strategjike, dhe nuk donin një përfshirje në një situatë të ngatërruar ndëretnike në një federatë në Ballkan.

Dokumenti i zbuluar mund të jetë një nga shumë skenare strategjike që analistët prodhojnë në Washington e që rregullisht mbeten syrtareve. Ai nuk është një dokument me rëndësi historike edhe nëse ajo që ka planifikuar rastis të ngjajë me një pjesë të gjërave që ndodhën. Ai as është miratuar, e as është vënë në zbatim. Pa ndikim në zhvillimet historike, ai mund të mbetet një kuriozitet por jo një fakt apo moment historik.

Në vend që të hedhë dritë mbi të vërtetën historike, ai vetëm sa do t’u japë ushqim fantazive të teorive të konspiracionit, antiamerkanëve të pashërueshëm, rretheve antishqiptare dhe atyre që duan të rishkruajnë historinë nga Moska në Beograd.

Nuk dua ta paragjykoj librin e Fron Nahzit, por shpresoj se ai trajton me përgjegjësi shkencore e metodike dokumentet historike. Kjo më shumë rëndësi do të ketë për vlerën e librit të tij sesa për historinë e Kosovës dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, e cila nuk mund të shtrembërohet, sidomos kur dëshmitarët që e kanë përjetuar janë ende gjallë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos