Nga Enver Robelli
Ka disa shqiptarë naivë - apo edhe dashakeqës - të cilët, sa herë që kritikohet fushata e Izraelit kundër Gazës (me dhjetëra mijëra viktima civile; për këtë mjafton të lexohen gazetat amerikane New York Times dhe Washington Post), dalin me refrenin: “Palestina nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.”
Nga ky konstatim i cunguar nxjerrin përfundimin absurd se shqiptari duhet të jetë indiferent ndaj shkeljes brutale të të drejtave të njeriut, vetëm pse një popullsi i përket një entiteti politik që nuk e ka njohur Kosovën. Me këtë logjikë, do të duhej të mbyllnim sytë para shfarosjes së 70–80 popujve të tjerë nëpër botë, vetëm se shtetet e tyre nuk e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës. Kështu nuk funksionon logjika!
Pastaj janë disa të tjerë që nuk ngurrojnë t’i dehumanizojnë palestinezët me etiketimin: “Ata janë arabë!” Po çfarë do të thotë kjo? Arabët nuk qenkan njerëz? Kjo gjuhë raciste fsheh faktin se palestinezët janë ndër popujt më të arsimuar arabë. Ironia bëhet edhe më e hidhur kur e mendon se këto fjalë vijnë nga shqiptarë që vetë me dekada kanë qenë viktima të racizmit. Një vetëpërbuzje e shndërruar në urrejtje ndaj tjetrit.
Natyrisht, këto fakte nuk zbehin të vërteta të tjera. Luftën e fundit e nisi organizata terroriste palestineze Hamas, duke vrarë e masakruar mbi 1000 hebrenj.
Një konflikt kaq i ndërlikuar politik nuk mund të komentohet me mendësi tifozi, duke ndarë botën në “të mirët” e “barbarët”. Këtë e bëjnë vetëm ata që çdo konflikt jashtë viseve shqiptare e shfrytëzojnë për të ndezur urrejtje, mosdurim e përçarje mes shqiptarëve - dhe, çuditërisht, këtë e bëjnë duke pretenduar se janë “properëndimorë”. Në fakt, ata janë antiperëndimorët më të mëdhenj sepse nuk e kuptojnë se në çështjen e të drejtave të njeriut nuk ka kompromis. Siç nuk duhet të ketë në luftimin e ekstremizmit dhe racizmit. Të çdo lloji. (A2 Televizion)