Putini i vogël në Rusinë e madhe!

Nga A2 CNN
11 Maj 2026, 22:36 | Blog

Nga Xhevahir Qardaku

Putini i vogël në Rusinë e madhe! Presidenti i Rusisë u shfaq më i vetmuar se kurrë, më i frikësuar se kurrë, teksa festonte 81-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste. Por, parada tradicionale e 9 Majit në Sheshin e Kuq nuk kishte më madhështinë dhe fuqinë simbolike që Kremlini ka projektuar prej vitesh.

Për herë të parë në gati dy dekada munguan tanket, raketat dhe kolonat e armatimit të rëndë: një ndryshim që flet më shumë se çdo deklaratë politike.

Vladimir Putin u përpoq ta mbushte këtë boshllëk me retorikë patriotike dhe video propagandistike nga fronti i luftës në Ukrainë, duke e lidhur sërish pushtimin e Ukrainës me Luftën e Dytë Botërore. Por këtë herë, mesazhi dukej më shumë mbrojtës sesa triumfues.

Armëpushimi treditor mes Rusisë dhe Ukrainës krijoi një atmosferë të përkohshme qetësie, por jo besimi. Sulmet ukrainase në thellësi të territorit rus, goditjet ndaj rafinerive dhe masat e forta të sigurisë në Moskë tregojnë se Kremlini nuk ndihet më i paprekshëm. Edhe kufizimet e internetit dhe komunikimeve telefonike gjatë paradës dëshmojnë një nervozizëm të shtuar të pushtetit rus, që dikur synonte të projektonte stabilitet absolut.

Por ndoshta sinjali më i fortë i kësaj parade të zbehur ishte mungesa e mbështetjes ndërkombëtare që Putin shfaqte me krenari në vitet e kaluara. Në vend të një parade me liderë botërorë dhe aleatë strategjikë, këtë herë në Moskë ishin vetëm disa figura të izoluara politike dhe aleatë tradicionalë të Kremlinit. Edhe vetë Putin pranoi se lufta “po shkon drejt fundit”, një deklaratë që mund të lexohet si shenjë lodhjeje, por edhe si përgatitje për një kompromis të mundshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos