
Nga Afrim Krasniqi
Disa parti politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ish aleatë zgjedhore, kanë vendosur të shkrihen për të krijuar një parti të vetme, ideja e një subjekti me bashkë-drejtim kolektiv dhe njësim programor. Nuk ka rëndësi motivi afatshkurtër politik dhe as emrat, as impakti që mund të (mos) ketë, rëndësi ka se aty ekziston dhe pranohet koncepti i dialogut dhe eksperimenti i bashkimit, dhe qoftë edhe kjo mjafton të shihet me vlerësim pozitiv.
Sepse një nga format klasike të dobësimit të një faktori politik është fragmentarizmi ekstrem politik dhe ndërtimi i sistemit partiak mbi emrat, jo institucionet. Praktika të tilla nuk kanë ndodhur në Tiranë, - disa raste minore si PDR apo G99 nuk përbëjnë raste referuese.
Në Prishtinë LDK në opozitë vendosi të rihapë derën për Presidenten Osmani, madje ta vendosë atë në krye të listës së kandidatëve, para kryetarit të saj. Nuk është thjesht kthim në shtëpi dhe as përpjekje mbijetese; kjo është edhe një shenjë emancipimi dhe ndaj meriton vlerësim, pavarësisht se efekti elektoral do të testohet në qershor.
Në Shqipëri asnjë president (partiak) nuk është lejuar nga dy partitë e mëdha të ketë rol drejtues ose të angazhohet në partinë që e ka propozuar. LSI nuk mund të jetë referim, për shkak të peshës simbolike.
Mesazhet? Mësimet? Në politikë (edhe atë shqiptare) ka ende vend për ide të reja, sjellje të reja, reflektime dhe ndryshime pozitive, - një këshillë dhe leksion që në Tiranën e partive-kulla, liderëve-kulla dhe mendjeve-kulla refuzohet apriori.
Me logjikën e betonit këtu kemi mbetur aty e nisëm, te refuzimi kategorik i Tjetrit, identifikim 100% i liderit me partinë, nuk ka as zgjedhje, as reformim, as strategji elektorale, as figura të reja, as ekip, as kryesues alternativ të listës, madje as pranim edhe teorik/hipotetik i idesë se partitë tona, vendi ynë, shoqëria jonë, shteti ynë mund të mbijetojnë dhe të kenë të ardhme edhe pa ATË/ATA. (A2 Televizion)