
Nga Rudina Hajdari
Në më pak se 48 orë, brezi Z në Nepal përmbysi një qeveri të tërë, duke tronditur një sistem politik, që prej dekadash kishte abuzuar me besimin e qytetarëve. Ishte një shpërthim i paprecedentë zemërimi i të rinjve, por edhe një fitore qe erdhi me një çmim të tmerrshëm. “Jemi krenarë, por mbajmë me vete një barrë të përzier traume, pendese dhe zemërimi”, – tha Tanuja Pandey, një nga organizatoret e protestave.
Me 72 të vrarë, këto u bënë trazirat më të përgjakshme në dekada në vendin himalajan. Ndërtesa qeveritare, rezidenca të liderëve politikë dhe hotele luksoze, përfshirë “Hilton”-in e hapur vetëm në korrik 2024, u dogjën, u vandalizuan dhe u plaçkitën. Bashkëshortja e një ish-kryeministri mbeti në gjendje kritike pasi shtëpia e tyre u përfshi nga flakët. Ky shpërthim nuk ishte thjesht një revoltë. Ishte një hakmarrje e brezit Z ndaj pushtetit.
Nëpërmjet këtij rebelimi, të rinjtë e Nepalit refuzuan të jetojnë më në një shtet të shkatërruar nga korrupsioni, klientelizmi dhe pabarazia. Ata paguan një çmim të lartë, por dëshmuan se edhe sistemet më të pamëshirshme përkulen përballë një brezi të ri që lufton dhe nuk pranon më të heshtë, por të veprojë. Brezi Z në Shqipëri nuk duhet të kërkojnë hakmarrje, por drejtësi nga një pushtet politik që i ngjan klasës politike të Nepalit.
Gjendja aktuale është shumë e rëndë për të rinjtë. Varësi nga droga, dhuna në shkolla, një pasiguri totale në vendet publike. Kjo vjen si pasojë një fenomeni unikal, por shkatërrues për vendin, siç është ai eksportit të pjesës vitale të shoqërisë dhe importit të parave të pista që investohen në beton dhe mbysin konkurrencën në treg. Asgjë nga këto që po them nuk është e re, por ka ardhur një pikë që nuk po mban me.
Duhet patjetër të marrim një kthesë politike. Kemi përballë një pushtet me zero ndjeshmëri për plagët sociale, një klasë politike që kanë krijuar imunitet total, sepse janë të zënë duke shijuar lukset e tyre dhe duke menduar si të vjedhin më shumë. Madje, janë në konkurrence me njëri-tjetrin se kush është më i zoti për të vjedhur sepse kështu tregojnë edhe me shumë peshë politike.
Që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të orkestruara nga Edi Rama dhe Sali Berisha, sistemi politik është mbyllur hermetikisht. Pushteti është përqendruar në duart e pak elitave, konkurrenca e brendshme është asgjësuar dhe politika është shndërruar në një klub privat për të njëjtët emra.
Listat e mbyllura, mungesa e garës reale errëta kanë prodhuar një sistem që riciklon veten për të mbijetuar, jo për të ndërtuar. Modeli i sotëm i qeverisjes — qoftë ai i Ramës, i ministrave të tij, apo modelet e vjetra të Partisë Demokratike — nuk duhet të vazhdojë më.
Vendi ka nevojë për një brez të ri në politik. Edhe lideri i ardhshëm i PD-së duhet të vijë jashtë radhëve të partisë, ose minimalisht i paprovuar. Por duhet të këtë një vizion, një ndarje të qartë nga e kaluara. Një njeri që nuk përsërit kurrë me gabimet Basha-Berisha brenda partisë dhe padyshim që frymëzon përtej aleateve të partisë.
Ashtu si në vitin 1990, ku me mjete paqësore dhe me një vizion modern. Jo për të kërkuar poste, por për të kërkuar të drejta. Jo më shkolla ku mbizotëron dhuna, druga, mashtrimi, injoranca. Jo më ata që shkatërrojnë, por ata që ndërtojnë. Jo më ata që vjedhin ditën e vrasin natën, por ata që shërojnë.
Jo më ata që bëjnë zhurmë e dhunë, por ata që kanë qetësinë e arsyes. Jo më ata që janë arrogant, por ata që kanë mirësi — edhe kur kanë pushtet. Jo më ata që servilosen, por ata që e duan garën reale. Besoj fort se ndryshimi nuk duhet të vijë kurrë përmes dhunës. Nuk duhet vijë kurrë me idenë e hakmarrjes, por drejtësisë. Shembulli i Nepalit nuk duhet kopjuar në formë, por në frymë. Brezi i ri duhet të organizohet si një forcë qytetare, me kërkesa të qarta dhe presion të vazhdueshëm, pa u bërë pjesë e lojës së vjetër politike.
Nëse të rinjtë shqiptarë bashkohen rreth një pakete minimale reformash — hapjen e listave, kufizimin e mandateve, luftën e pakompromis kundërkorrupsionit dhe nxitjen ndaj SPAK-ut për t’i çuar të gjitha çështjet deri në fund, pa kursyer askënd që ka abuzuar më vjedhjen e taksave tona.
Këto reforma do sillnin shumë ndryshim brenda shkollave, ambienteve publike, nevojave që të rinjtë kanë sepse do prodhonte një klase të re politike të denjë për shoqërinë tonë. Nepali tregoi se kur brezi i ri ngrihet, pushteti bie. Ashtu siç ndodhi edhe në Shqipëri në dhjetor 1990.
Unë besoj se Shqipëria ende e ka një brez të tillë që e do këtë ndryshim. Ajo që mungon nuk është zemërimi. Është plani. Dhe plani duhet të nisë sot. (A2 Televizion)