Një sërë shtetesh të Europës perëndimore mbeten të mbërthyera nga vala e të nxehtit ekstrem këtë fund maji.
Turistë e vendas shfrytëzuan shatërvanët e shumtë të Romës për t’u freskuar, ndërsa rajonet veriore e qendrore të Italisë janë përfshirë nga temperatura deri në 35 gradë celsius. Për të parandaluar rreziqet e shoqëruara nga temperaturat e larta autoritetet në romë firmosën një masë që u kërkon punonjësve të ndërtimit dhe sektorët e bujqësisë të bëjnë pushim në zona freskimi gjatë orëve të pikut, shkruan A2 CNN.
Në qytetin e Torinos janë shënuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, për shkak të të nxehtit që sipas autoriteteve ka ekspozuar presionin e madh mbi rrjetin e energjisë elektrike. Në alarm është edhe Spanja ku po shënohen temperatura që zakonisht janë në korrik dhe gusht, deri në 37 gradë.
Po ashtu Portugalia, Franca dhe Britania e Madhe po përjetojnë temperatura tejet të larta për muajin. Sipas një raporti të OKB temperatura mesatare globale do të rritet në nivel rekord gjatë 5 viteve në vazhdim. (A2 Televizion)