TikToku është si vodka, por pse vodka është e ndaluar për fëmijë, ndërsa TikToku jo?

Nga Enver Robelli
14 Korrik 2025, 20:07 | Blog

TikToku është si vodka, por pse vodka është e ndaluar

Nga Enver Robelli

Një kufi ligjor moshe për përdorimin e rrjeteve sociale është i domosdoshëm – jo vetëm për të mbrojtur fëmijët, por edhe për t’ua bërë të qartë prindërve: jo, nuk është e pranueshme t’i japësh një 13-vjeçari qasje në TikTok, ashtu siç nuk do t’i blije një shishe vodka.
—-----------------------------
Rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e realitetit, por kjo nuk do të thotë se çdo aspekt i realitetit është i përshtatshëm për fëmijët dhe të rinjtë, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në një koment. Ashtu si askush nuk do t’ua lejonte fëmijëve qasjen në alkool, po aq e papërgjegjshme është t’i lësh të miturit nën mëshirën e algoritmeve që prodhojnë varësi dhe nxisin sjellje problematike. Pedagogë dhe psikologë prej vitesh paralajmërojnë: rrjetet sociale funksionojnë si substanca të varësisë, duke shfrytëzuar dobësitë zhvillimore të trurit të ri për të mbajtur vëmendjen e përdoruesve sa më gjatë.

Shumë pak prej përdoruesve janë të vetëdijshëm se nuk janë klientë të këtyre platformave – ata janë produkti. Klientët e vërtetë janë reklamuesit që paguajnë për të hyrë në mendjet e tyre. Kompanitë e teknologjisë, si në SHBA ashtu edhe në Kinë, e trajtojnë vëmendjen si mall tregtie dhe të dhënat personale si flori. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh për fëmijët dhe adoleshentët, të cilët, në një moshë kur ende nuk kanë zhvilluar vetëkontrollin, janë veçanërisht të pambrojtur ndaj mekanizmave manipuluese të këtyre aplikacioneve, nënvizon “Süddeutsche Zeitung”.
Statistikat janë alarmante: sipas një studimi të sigurimit shëndetësor DAK mbi varësinë nga mediat, mbi 1,3 milionë të rinj në Gjermani e kanë humbur tashmë kontrollin mbi përdorimin e rrjeteve sociale. Përmbajtjet problematike janë vetëm një klikim larg: pornografi degraduese, video dhune, gjuhë urrejtjeje, ngacmime seksuale, ekstremizëm. Nuk është më e rrallë që fëmijët në klasën e pestë apo të gjashtë të kenë parë skena mizore që edhe të rriturit do t’i tronditnin. Edhe përmbajtjet që nuk janë ligjërisht të ndaluara – si pamjet jorealiste të trupit – kontribuojnë në stresin psikologjik, presionin social dhe humbjen e vetëvlerësimit.

Megjithatë, shumë politikanë vazhdojnë të minimizojnë problemin. Kryeministri i landit të Bavarisë Markus Söder e quan “të çmendur” idenë e një ndalimi për të miturit. Por është shumë më naive të besosh se vetëkontrolli zhvillohet duke u zhytur pa mbrojtje në këtë botë dixhitale. Po ashtu, është iluzion të mendosh se prindërit mund ta përballojnë vetëm këtë sfidë. Edhe më të përgjumura janë institucionet publike, që nga çerdhet e deri te legjislacioni.

Një argument i njohur – se ndalimi e bën diçka më tërheqëse – është i dobët. A duhet pezulluar ndalimi i kanabisit, që droga të mos duket më interesante? Nëse një ndalim nuk ka efekt absolut, kjo nuk do të thotë se nuk ka vlerë: edhe në të kaluarën të rinjtë falsifikonin dokumente për të hyrë në diskotekë, por kjo nuk e diskreditonte rregullin.

Prandaj, shteti duhet të ndërhyjë. Ai ka detyrim përkujdesjeje ndaj brezit të ri. Një kufi ligjor moshe për përdorimin e rrjeteve sociale është i domosdoshëm – jo vetëm për të mbrojtur fëmijët, por edhe për t’ua bërë të qartë prindërve: jo, nuk është e pranueshme t’i japësh një 13-vjeçari qasje në TikTok, ashtu siç nuk do t’i blije një shishe vodka.

Ka propozime konkrete për zbatimin e një ndalimi: në Saksoninë e Poshtme është sugjeruar që prindërit të regjistrojnë datën e lindjes së fëmijëve në një platformë shtetërore, ku aplikacionet mund të verifikojnë automatikisht moshën. Një model që edhe Australia po e shqyrton.

Në fund të fundit, fjala është për të ardhmen tonë të përbashkët. Shoqëritë që nuk mbrojnë fëmijët nga fuqitë më të mëdha të kohës sonë – gjigantët e teknologjisë – braktisin përgjegjësinë e tyre më themelore. Dhe kjo nuk është vetëm gabim politik: është një tradhti morale, thekson “Süddeutsche Zeitung”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos