Studime të reja të instituteve gjermane tregojnë për një model të sofistikuar të infiltrimit kinez në Ballkanin Perëndimor – përmes spiunazhit digjital, investimeve strategjike dhe kredive të lehtësuara – me Serbinë si qendër gravitacioni. Në një rajon të pambrojtur ndaj ndikimeve të huaja dhe të lodhur nga vonesat e BE-së, Pekini gjen terren të favorshëm për të zgjeruar praninë e tij politike dhe ekonomike, shkruan gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Kina po forcon ndikimin e saj në Evropën Lindore përmes një përzierjeje të metodave digjitale dhe ekonomike - nga sulmet kibernetike te investimet dhe kreditë me kushte të volitshme, duke vepruar më lirshëm në rajonet ku mungojnë standardet e BE-së për transparencë, shkruan gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në Çeki, një sulm kibernetik ndaj Ministrisë së Jashtme nga grupi APT31, i lidhur me Ministrinë kineze të Sigurisë Shtetërore, shkaktoi alarm. Në Bosnjë-Hercegovinë, kompania kineze Elinc, e përfshirë në listën e sanksioneve amerikane për lidhje me industrinë ushtarake kineze, po kujdeset për sigurinë e IT-së të 780 institucioneve publike. Në Serbi, policia përdor teknologji të njohjes së fytyrës të kompanisë kineze Huawei. Edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë eksperimentuar me sisteme të ngjashme.
Sipas studimeve të publikuara nga German Marshall Fund, të cilat i citon Frankfurter Allgemeine Zeitung, Huawei është instrumenti kryesor i Kinës në fushën e telekomunikacionit në Ballkanin Perëndimor, duke ndërtuar rrjete 5G, qendra të dhënash dhe projekte për “qytete inteligjente”. Politologia Arta Haxhixhemajli paralajmëron për lidhjet e ngushta të kompanisë me Partinë Komuniste të Kinës, dhe BE-ja e ndan këtë shqetësim: shumica e vendeve të saj nuk përfshijnë Huawei në ndërtimin e rrjeteve të tyre për shkak të frikës për spiunazh.
Investimet direkte të Kinës në BE dhe Britani arritën një rekord prej 5,9 miliardë eurosh më 2024. Megjithatë, vetëm 20 për qind shkuan në tre ekonomitë kryesore (Gjermani, Francë, Britani), ndërsa pjesa më e madhe shkoi në Hungari - një vend euroskeptik - që mori 31 për qind të investimeve, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung. Pjesa më e madhe e investimeve vjen nga firmat kineze të automobilave dhe baterive: Catl, Geely dhe Gotion, së bashku me kompanitë teknologjike Tencent dhe Envision. Këto pesë kompani përbëjnë gjysmën e investimeve kineze në BE. Eksperti Max Zenglein nga instituti Merics me seli në Berlin thekson se Kina po e përdor investimin ekonomik si mjet për ndikim politik strategjik.
Në Europën Lindore, interesi i Kinës për investime të reja ka rënë – projektet u reduktuan për 4 për qind dhe shuma e kapitalit për 48 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, për shkak se edhe investimet nga vendet e tjera kanë rënë, pesha relative e Kinës është rritur, sidomos në vendet e Ballkanit Perëndimor: Serbi, Bosnjë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri.
Sipas Wiener Institut für Internationale Wirtschaftsvergleiche (WIIW), pra Instituti Vjenes për Krahasime Ndërkombëtare Ekonomike, Kina po përfiton nga mungesa e rregullave të BE-së për transparencë në tendera, duke u pozicionuar si një alternativë më fleksibile për qeveritë e Ballkanit. Ndikimi ekonomik i Kinës në rajon është rritur ndjeshëm: nga 0.2 për qind në 2015 në 4.2 për qind të fuqisë ekonomike ose Prodhimit të Brendshëm Bruto më 2023. Ndërkohë, investimet e BE-së kanë rënë nga 40 për qind në 34 për qind.
Serbia qëndron larg nga vendet e tjera në lidhje me përqendrimin e kapitalit kinez. 9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) përbëhet nga projektet kineze “greenfield” (të ngritura nga zeroja), ndërsa nga BE-ja 38 përqind. Kina ndërton projekte që investitorët e tjerë nuk i prekin dhe përfiton nga neglizhenca e BE-së. Historikisht, lidhjet e ngushta midis Serbisë dhe Kinës datojnë prej kohësh, dhe Kina përpiqet të zgjerojë gjurmët e saj ekonomike në mënyrë sistematike.
Midis viteve 2000 dhe 2021, Kina u ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor kredi me vlerë deri në 17 miliardë dollarë, ndërkohë që BE-ja nga viti 2007 deri në 2023 ka dhënë 25 miliardë dollarë.
Kushtet e kredive kineze janë më fleksibile, por kjo vjen me kosto: interesa më të larta, afate më të shkurtra dhe rrezik më të madh për korrupsion. Një shembull është shembja e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, financuar nga Kina - ngjarje që ndezi protestat e vazhdueshme kundër regjimit.
Ndërsa BE-ja ka dhënë 13 miliardë euro në formë grantesh të pakthyeshme për përgatitjen e anëtarësimit të rajonit, Kina ka dhënë vetëm 350 milionë euro në forma të ngjashme. Kjo nxjerr në pah një diferencë të rëndësishme në mënyrën se si dy fuqitë globale qasen ndaj ndihmës së jashtme.
Sipas artikullit të Frankfurter Allgemeine Zeitung, Kina ndjek një model të sofistikuar të infiltrimit në Ballkanin Perëndimor – përmes spiunazhit digjital, investimeve strategjike dhe kredive të lehtësuara – me Serbinë si qendër gravitacioni. Në një rajon të pambrojtur ndaj ndikimeve të huaja dhe të lodhur nga vonesat e BE-së, Pekini gjen terren të favorshëm për të zgjeruar praninë e tij politike dhe ekonomike.
E.R. (A2 Televizion)