Ana e errët e lëvizjes studentore serbe

Nga A2 CNN
3 Korrik 2025, 16:34 | Blog

Ana e errët e lëvizjes studentore serbe

Nga Enver Robelli

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung kritikon ashpër fjalimet në tubimin e fundit të studentëve dhe opozitës serbe në Beograd.

Protestat kundër regjimit autoritar të Aleksandar Vučić-it në Serbi, të nisura nga një lëvizje studentore në nëntor 2024, kanë arritur përmasa të mëdha. Më 28 qershor 2025, rreth 140 mijë qytetarë u mblodhën në Beograd për të kërkuar zgjedhje të reja. Por siç shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, protesta shënoi edhe një kthesë shqetësuese: brenda kësaj lëvizjeje po forcohet gjithnjë e më shumë një nacionalizëm i ashpër serbomadh, që risjell në kujtesë retorikën e viteve të hershme të regjimit të Slobodan Milošević-it.

Zgjedhja e 28 qershorit – “Vidovdanit”, dita e Betejës së Kosovës – si datë e tubimit, ishte tregues simbolik. Hapjen e protestës e bëri një student me tone të ashpra, që foli për “lutje dhe gjak që bëhen një”, për “tokën e paraardhësve” dhe lexoi publikisht një tekst të peshkopit Nikolaj Velimirović, figurë nacionaliste dhe admirues i Hitlerit.
Siç përshkruhet në Frankfurter Allgemeine Zeitung, kjo nuk ishte një devijim i izoluar, por pjesë e një atmosfere të përgjithshme që sundoi protestën.

Një profesor letërsie lavdëroi publikisht Radovan Karaxhiçin dhe bëri thirrje për mbrojtjen e “serbëve jashtë Serbisë” në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut – kod për projektin e Serbisë së Madhe. Në vend që të theksonin rëndësinë e demokracisë dhe shtetit ligjor, shumë nga fjalimet u përqendruan në glorifikimin e "viktimave serbe" dhe bënë thirrje për bashkim kombëtar, duke lënë në hije qëllimin fillestar të lëvizjes.

Audienca e cila brohoriste ndaj këtyre mesazheve ngjalli kujtime të dhimbshme në qytete si Prishtina, Sarajeva apo Vukovari, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung. Dikur, kur flitej për “eshtrat e paraardhësve serbë” dhe për vendet ku ata janë varrosur, pasonin luftëra dhe krime kundër popujve joserbë në gjithë Ballkanin.

Megjithëse jo të gjithë studentët ndajnë këto qëndrime, mungesa e distancimit të qartë ndaj nacionalizmit i lë hapësirë zërit më të errët të shoqërisë serbe. Po të ndahej nga kjo rrymë, lëvizja do të dobësohej numerikisht, por do të forcohej në besueshmërinë e saj si përfaqësuese e vlerave demokratike.

Në vend që të sfidojnë autokracinë me parime të qarta demokratike, disa brenda protestës po përpiqen ta tejkalojnë Vučić-in në krahun e djathtë. Por, siç përmbyll Frankfurter Allgemeine Zeitung, edhe kur e kalon një autokrat nga e djathta, mbetesh në një rrugë të rrezikshme dhe të gabuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos