
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama shprehu edhe njëherë mbështetjen e unionit për procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
Teksa vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në rajon, Borrell foli edhe për tensionet në veri të Kosovës ku iu bëri thirrje të dyja palëve të ulen në tryezën e dialogut dhe të lënë pas tensionet.
“Shqipëria ka treguar se ka vullnet për të ecur përpara në procesin e integrimit. Unë e kam mbështetur Shqipërinë dhe i kam inkurajuar të vijojnë me këtë proces. Jemi në një proces kritik përsa i përket integrimit europian. Dua t’i them kryeministrit Rama që duhet të keni besim të plotë te Bashkimi Europian. Diskutuam dhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E bëra të qartë dhe në emër të ministrave të Jashtëm se të dyja palët duhet të ulin tensionet. Ne besojmë se situata kërkon ndërhyrje emergjente dhe që palët të ulen në tryezën e dialogut”, tha mes të tjerash Borrell. (A2 Televizion)