
Protesta kombëtare kundër femicidit vazhdon sot, në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, transmeton KosovaPress.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët të bashkohen në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn dhe çdo grua të vrarë, si dhe të sigurisë e lirisë për gratë në Kosovë.
Në njoftimin drejtuar mediave, ata shprehin pakënaqësi për mungesën e reagimit institucional ndaj kërkesave të protestuesve.
“Kërkesat tona janë të qarta, por shteti vazhdon të refuzojë të na dëgjojë. Ne nuk zmbrapsemi dhe çdo ditë që çel do të na gjejë në sheshe e përballë institucioneve që e dështuan Arlindën e po vazhdojnë ta dështojnë çdo çikë e gru në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje në vazhdimin e protestës kundër vrasjes së grave.
“Këtë të diel mos rrini në shtëpi, dilni e bashkohuni në protestë. Le ta çojmë amanetin e Arlindës në vend”, përfundon thirrja.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për këtë vrasje është kunati i Arlindës, i cili është arrestuar nga Policia. (A2 Televizion)