
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se zhvillimet e fundit politike në rajon i kujtojnë “Pranverën Arabe”, ndërsa e cilësoi kryeministrin Edi Rama si një autokrat që po përjeton momentet më të vështira të pushtetit të tij.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ndryshimet në Beograd kanë tronditur, sipas tij, edhe Edi Ramën, të cilin e cilësoi si “argatin” e Vuçiçit dhe e akuzoi se drejton një “regjim narkodiktatorial”.
"Java ishte javë ndryshimesh të mëdha. Ndryshime të cilat sjellin ndërmend Pranverën Arabe, pasi në Beograd një autokrat i lidhur me krime lufte, gjenocid, me vrasje, u përmbys në Serbi dhe një elitë e re politike erdhi në pushtet, erdhi në fuqi. Le të urojmë që kjo elitë e dalë nga zgjedhjet e ditës së diel të kaluar t’i përmbahet një vizioni në interesin më të mirë të kombit serb, vizionit euroatlantik dhe të fqinjësisë së mirë.
Kjo përmbysje e padronit në Beograd ka sjellë tronditje të mëdha të argatit të tij në Tiranë, i cili po përjeton grahmat më të vështira të regjimit të tij narkodiktatorial, Edi Ramës. Java u karakterizua nga dhuna më e egër që Tirana në rrugët dhe sheshet e saj ka parë ndoshta në tërë historinë. U karakterizua nga breshëritë me plumba goma dhe saçme derrash mbi protestuesit paqësorë. 16 prej tyre u plagosën me këto armë, shumica e tyre në pjesët e trupit të ndaluara me ligj për t’u qëlluar me këto armë. I riu Erion Vishkulli mori një saçme në njërën sy dhe urojmë nga zemra që rezultati i operacionit të jetë ai që dëshiron.
Komisariatet u mbushën plot me studentë, protestues, por ajo që spikat, spikati solidarizimi i madh me studentët në revoltën e tyre. Spikat një vendosmëri e zakonshme e studentëve, gjimnazistëve për t’u përballur me këtë regjim dhe PD, siç ka deklaruar në krye të radhës, do mbështesë dhe ka mbështetur me gjithë potenciali e saj revoltën studentore dhe ka bërë gjithçka për mbrojtjen e tyre”. (A2 Televizion)