
Partizani largon trajnerin Adolfo Sormani. Klubi ka marrë vendim me efekt të menjëhershëm, duke prishur kontratën me trajnerin, pavarësisht se marrëveshja me italianin duhej të vijonte edhe për dy sezonet e ardhshme.
Aventura e dytë e teknikut në stolin e kuq zgjati vetëm 6 muaj. 16 herë kampionët e Shqipërisë konfirmuan ndërprerjen e marrëdhënies me Sormanin dhe dy asistentët e tij Giovanni Mazzella dhe Gabriele Façia.
Shkak u bë mungesa e trajnerit dhe pjesëtarëve të stafit teknik në stol gjatë derbit të barazuar me Tiranën. Në momentin kur te Partizani rezultuan pesë futbollistë pozitivë me koronavirus, Sormani dhe ndihmësit e tij, nuk pranuan të uleshin në stol. Vendimin e tyre, ia komunikuan klubit me e-mail, ndërsa në stol qëndruan drejtori i klubit, Olsi Rama, drejtori i akademisë, Genc Tomori dhe zëvendëstrajneri, Renaldo Kalari. Ky i fundit u projektua menjëherë si pasardhës i italianit në stol.
Kalari do të qëndrojë në drejtimin e skuadrës edhe për tre ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, ku ndaj Teutës, Vllaznisë dhe Skënderbeut misioni është më i vështiri i mundshëm, me ngjitjen e Partizanit në zonën e kupave të Europës. (A2 Televizion)