Interesi jashtëzakonisht i madh për të zbuluar thellësitë e deteve dhe oqeaneve ka bërë që kompania “Triton Submarines” të ndërtojë një nëndetëse, e cila do të ofrojë një përvojë të jashtëzakonshme për turistët që do të provojnë zhytjen me të.
“Triton DeepView 24” është quajtur nëndetësja, e cila mund të mbajë deri në 24 pasagjerë dhe mund të zhytet në një thellësi prej 100 metrash.
Ajo që e bën të veçantë këtë nëndetëse është pamja që ajo ofron kur je brenda saj, pasi të mundëson të shohësh në thellësinë e detit nëpërmjet dritareve panoramike. Nëndetësja ka një gjatësi prej 15,4 metrash dhe komoditeti është i garantuar, madje edhe me ajër të kondicionuar.
Kjo nëndetëse kaloi me sukses në muajin mars testet në Barcelonë dhe pritet të jetë në dispozicion për turistët në muajin dhjetor, fillimisht në ishullin Hon Tre në Vietnam, shkruan Daily Mail. (A2 Televizion)