Pas takimit me të dërguarin amerikan, Putin pranon rifillimin e bisedimeve të paqes me Ukrainën. Kremlini zbulon datën

Nga A2 CNN
22 Tetor 2026, 07:19 | Bota

Pas takimit me të dërguarin amerikan, Putin pranon rifillimin e

Presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord për rifillimin e negociatave të paqes me Ukrainën, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, që në muajin e ardhshëm. Lajmi u bë i ditur nga Kremlini, pas takimit të Putinit me të dërguarin amerikan Steve Witkoff në Shën Petersburg.

Sipas Kremlinit, bisedimet e reja trepalëshe mund të zhvillohen në Abu Dhabi, në nivel teknik, duke nisur më 10 nëntor ose pas kësaj date. Në fokus do të jetë garantimi i sigurisë së Ukrainës dhe Rusisë pas përfundimit të luftës, shkruan A2 CNN.

Takimi, i cili zgjati afro tri orë, ishte hera e nëntë që Witkoff takohej personalisht me presidentin rus. Ai nisi me një gjest vullneti të mirë nga Moska, e cila liroi shtetasin amerikan Stephen Hubbard, një mësues i pensionuar, për lirimin e të cilit kishte kërkuar presidenti Donald Trump.

Megjithatë, Kremlini shprehu rezerva për rezultatet e bisedimeve që Ëitkoff zhvilloi një ditë më parë në Oslo me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, drejtuesit e Finlandës dhe Norvegjisë, si dhe përfaqësues evropianë dhe të NATO-s.

Ndërkohë, Ukraina dhe Rusia mbeten larg një marrëveshjeje të mundshme, ndërsa Trump ka shtuar presionin ndaj Kievit për t’i dhënë fund konfliktit. Të martën, ai paralajmëroi Ukrainën se, nëse nuk i jep fund luftës, mund të përballet me pasoja shumë të rënda, raporton A2 CNN.

Gjatë takimit, Putin ofroi gjithashtu ndihmën e Rusisë për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Iranit dhe propozoi furnizimin e SHBA-së me sasi të mëdha plehrash kimike për të mbështetur fermerët amerikanë.

Sipas Kremlinit, u diskutua edhe mundësia e një takimi trepalësh mes Trump, Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping në Kinë muajin e ardhshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos