
Presidenti amerikan Donald Trump, ai rus Vladimir Putin dhe homologu kinez Xi Jinping mund të zhvillojnë një takim trepalësh “historik” në samitin e APEC-ut në Kinë, ka deklaruar këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) është planifikuar të mbahet në Shenzhen të Kinës, më 18 dhe 19 nëntor.
Duke folur të mërkurën për median ruse “Vesti”, Ushakov tha se Pekini ka nisur tashmë përgatitjet për bisedimet e mundshme.
“Të gjithë janë të gatshëm për këtë, por shumëçka, në mos gjithçka, varet nga organizatorët kinezë të samitit”, u shpreh ai.
Mundësia e zhvillimit të bisedimeve trepalëshe u diskutua edhe gjatë takimit të Putinit me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, të mërkurën në Shën Petersburg, sipas Kremlinit.
Ushakov e cilësoi takimin e propozuar si potencialisht “historik”, duke theksuar se do të ishte hera e parë që tre liderët takohen në këtë format.
Putin dhe Trump janë takuar për herë të fundit ballë për ballë në samitin e zhvilluar në Anchorage të Alaskës, në gusht të vitit 2025.
Që prej atëherë, ata kanë vijuar kontaktet përmes telefonatave, më e fundit prej të cilave u zhvillua më 9 tetor.
Putin dhe Xi kanë zhvilluar gjithashtu bisedime të rregullta, përfshirë takimin në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, të mbajtur në Bishkek në muajin gusht. Dy liderët u takuan më herët në Pekin, në maj, gjatë vizitës shtetërore të Putinit.
Trump dhe Xi janë takuar dy herë deri më tani këtë vit, fillimisht në Pekin në maj dhe më pas në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.
Trump ka shprehur më parë gatishmërinë për bisedime trepalëshe, duke sugjeruar se çarmatimi bërthamor mund të jetë një nga çështjet që do të diskutohen.
(A2 Televizion)