
Trajneri i Kombëtares, Edy Reja, tha se në listën e publikuar për tri ndeshjet e qershorit mungon sulmuesi kryesor, Armando Broja, për shkak se ka rezultuar me Covid-19. “Shpresojmë ta kemi të paktën për ndeshjen me Izraelin”, tha Reja në një konferencë për mediat të premten.
Përveç lojtarit të Chelsea-t, mungojnë edhe emra të tjerë të rëndësishëm, si Thomas Strakosha, Qazim Laçi, apo Rey Manaj. “Laçi sapo është operuar, nuk është gati. Strakosha është në përfundim të kontratës dhe deri sa të gjejë një zgjidhje më kërkoi që të mos ishte i pranishëm. Është normale, sepse mund të jetë në tratativa dhe nëse dëmtohet i prish punë. E njëjta gjë vlen edhe për Manajn”, tha Reja.
Kombëtarja shqiptare luan kundër Islandës më 6 qershor dhe Izraelit më 10 qershor në kuadër të Nations League. Pas këtyre dy sfidave, skuadra kuqezi do të luajë edhe një miqësore me Estoninë më 13 qershor. (A2 Televizion)