
Kryeministri Rama, nëpërmjet një videomesazhi, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të regjistrohen në censin e popullsisë.
Ai vuri theksin te rëndësia e këtij procesi, duke e cilësuar si jetësor për të ardhmen e shqiptarëve.
“Sot është një nga ato momente të jetës suaj si qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut ku askush prej jush, asnjë i vetëm, kudoqoftë me banim në këtë botë dhe çfarëdo qofshin punët dhe hallet që ka nuk duhet të mungojë në regjistrimin e ri të popullsisë së shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Nga numri i shqiptarëve të regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut varet fuqia kushtetuese e popullit shqiptar, të asaj Republike mbi pjesëmarrjen dhe vendimmarrjen në punët e atij shteti. Kështu që, përpara sesa të hani darkë sonte dhe t’ju zërë gjumi duke parë televizor, uluni dhe kryejeni betejën tuaj të vogël, duke u regjistruar me krenari si qytetarë shqiptarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Rama. (A2 Televizion)