Çështja e Rinasit, avokati i kontrollores: Masat nuk justifikohen, reagimi i tyre pasojë e indiferentizmit të shtetit

Nga A2 CNN
13 Prill 2021, 10:28 | Aktualitet
Çështja e Rinasit, avokati i kontrollores: Masat nuk justifikohen,

Për disa ditë, Rinasi fokusoi pothuajse të gjithë vëmendjen e opinionit publik, ku aeroporti i vetëm në vend u mbyll për shkak të mungesës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Sipas qeverisë, ky ishte rezultati i një proteste të paligjshme të asaj kategorie, ndërkohë që për kontrollorët ishte thjesht ushtrimi i të drejtave të tyre, ku tashmë përballja i është futur rrugës gjyqësore.

Avokati Florian Kola, që mbron çështjen e një prej personave të arrestuar për shpërdorim detyre, Flora Ndrecës, thotë se shkaqet duhen parë më gjerë, ku sipas tij  “ka pasur indiferentizëm te shteti, ata abuzojnë duke thënë që në gjithë botën ka pasur reduktim të pagave. Është e vërtetë, por kjo ka ndodhur me  marrëveshje, fakti që nuk ka pasur marrëveshje, që nuk është folur me to dhe nuk është përcaktuar një afat ka bërë që kontrollorët të reagojnë”, thotë ai.

Avokati nënvizon edhe që ndaj të arrestuarve është vendosur një masë jo proporcionale me ngjarjen. “Kontrollorët kanë plotësuar formularin e paaftësisë, diçka që është konsideruar si vepër penale, ndërkohë që kontrata e tyre e cilëson mosparaqitjen pa shkaqe të justifikuara si motiv për largim nga puna, dhe në asnjë rast në burg. Ata kanë shfrytëzuar deklaratën e paaftësisë, plotësimi i disa prej tyre i formularit i ka dhënë gjithçkaje formën e protestës, ndërkohë që është një instrument ligjor”, thotë ai për A2, duke shtuar se në qoftë se shteti nuk kishte të ardhura mund t’i zëvendësonte, por nuk kishte sens të përgjysmonte rrogat.

Për sa i përket rolit të Flora Ndrecës që ai përfaqëson, avokati deklaron se  “ka qenë sekretare e sindikatës, ka pasur të drejtë të informojë drejtuesit për deklaratat e paaftësisë, nuk ka rol tjetër përtej asaj të koordinatorit, për sa i përket shpërdorimit të detyrës, ajo është në arrest shtëpie, vendim që do të apelohet”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/04/09/ulja-e-pagave-kontrolloret-e-rinasit-nisin-perballjen-me-albcontrol-ne-gjykate/

A2 CNN Livestream

Latest Videos