
Janë të ligjshme apo jo zgjedhjet vendore të vitit 2019? Kësaj pyetje nuk mundi t’i jepte përgjigje Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi se për legjitimitetin e vendoreve të 2019-s, të marrë opinionin e Komisionit të Venecias.
Pas 10 orëve parashtrime dhe 60 minuta me dyer të mbyllura, gjyqtarët kushtetues ranë dakord se për këtë çështje kaq sensitive për politikën e Tiranës, duhet një ekspertizë ndërkombëtare.
Voltana Ademi iu drejtua Kushtetueses dy vite më parë nën argumentin se zgjedhjet vendore ishin zhvilluar në mënyrë antikushtetuese.
“Themelet e demokracisë janë shkelmuar më 30 qershor 2019. Unë kam besim dhe shpresë që sa më shpejt të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Ademi.
Pjesë e argumenteve ligjore të ankimuesve ishin edhe dekreti i Presidentit Ilir Meta, i cili në atë kohë firmosi për të anuluar 30 qershorin si ditë zgjedhore, vendim i cili nuk u mor në konsideratë. Bledar Dervishi u shpreh: “Vendimi i gjykatës nuk komentohet. Gjykata Kushtetuese e ka parë me vend që t’i drejtojë kërkesë Komisionit të Venecias për një opinion këshillimor, lidhur me çështjen objekt-shqyrtimi. Çështja objekt-shqyrtimi nuk është dekreti i Presidentit, por kushtetutshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019”.
Për të marrë ekspertizën e Komisionit të Venecias duhet të pritet tetori, kur në datën 14 të këtij muaji parashikohet seanca e radhës plenare dhe legjitimiteti i pushtetit vendor në Shqipëri do të vijojë të mos njihet nga një pjesë e politikës dhe nga Presidenti i Republikës, i cili vijon të mos dekretojë një datë zgjedhjesh për pesë bashki që janë pa kryetar. (A2 Televizion)