Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është shprehur se vendosjen e tritolit pranë banesës së tij e shikon si një mesazh nga mazhoranca për t’i mbyllur gojën.
Komentet Mziu i bëri gjatë fjalës së tij në një deklaratë për media nga selia e PD-së, krah kryedemokratit Sali Berisha, shkruan A2 CNN.
Mziu tha gjithashtu se gjatë gjithë karrierës së tij politike, nuk ka pasur kurrë konflikte me askënd dhe nuk i ka askujt borxh.
“Mbrëmë rreth orës 1 pa 5, pranë shtëpisë time në Kamëz pati një shpërthim eksplozivi. Falë Zotit nuk pati dëmtime në njerëz. Isha unë bashkë me familjen, ishin komshitë dhe jo vetëm ato, por mjaft persona në Tiranë kanë dëgjuar oshëtimin e këtij tritoli. Pati dëme materiale. Jam i gëzuar që nuk pati probleme njerëzore as tek unë e as te kalimtarët në rrugë. Nuk kam asnjë lloj konflikti me asnjë person gjatë gjithë karrierës time.
Nuk kam asnjë borxh ndaj askujt. Unë e shoh këtë një akt absolutisht politik. Madje ai është një sinjal për të treguar po themi ‘nuk mundesh të reagosh ndaj kësaj qeverie krimi e korrupsioni’. Kështu që përveçse një hakmarrje politike, unë asgjë tjetër nuk mund ta konsideroj, madje në të gjithë njerëzit që ne komunikojmë gjatë këtyre orëve, nuk gjejmë dot asnjë lloj argumenti tjetër, përveçse prapavijës politike apo sinjalit për të na bërë një ushtar të tyre dhe jo për të qenë një opozitë siç duhet të jemi përballë kësaj qeverie krimi e korrupsioni.
Nëse do të kisha indicia për persona, nuk do kisha hezituar për ta thënë emrin e tij. Unë e konsideroj një mesazh nga kjo mazhorancë për të mbyllur gojën. Shpresojmë që Policia të jetë në lartësinë e duhur për të kapur autorët dhe normalisht kështu do të dalë se kush është edhe porositësi. Unë jam shumë besimplotë në këtë drejtim”, tha mes të tjerash Mziu. (A2 Televizion)