
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, rrëzimi i ankimimeve të opozitës për zgjedhjet e 25 prillit nga KAS dhe kolegji Zgjedhor, si dhe situata brenda selisë blu u diskutuan në studion e "Ditari", me përfaqësuesin demokrat, Ivi Kaso.
Në këndvështrimin e tij, Kaso thekson se procesi i votimit në 30 qershor 2019 u mbajt pa një datë ligjore dhe shpreson që Komisioni i Venecias do të jetë larg presionit politik dhe në interes të shqiptarëve. Pas kësaj, ai nënvizon se fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila do të zbërthejë opinionin e Venecias.
“Ka pasur pritshmëri të madhe nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e 2019-s që lanë pas një zhgënjim të madh te njerëzit, pasi mungonte gara në këto zgjedhje dhe pritshmëria ka qenë e lartë për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk jemi palë në proces, u lejuam ta ndiqnim nga afër, por ishim kuriozë si do të trajtoheshin argumentat mbi rikthimin në kushtetutshmëri. Ka pasur seancë maratonë; argumentet kanë qenë shterues, për shpalljen jokushtetuese të zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve me dekret të presidentit është anuluar dhe sot kemi ende një dekret të presidentit që janë shfuqizuar. Është mbajtur një proces votimi pa një datë ligjore. Tregon që është tentuar që të shtohet presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe shpresojmë që Komisioni i Venecias të jetë larg presionit politik dhe për interes të shqiptarëve të shprehet sa më shpejt. Komisioni i Venecias duhet falënderuar se është marrë me Shqipërinë e problemet e saj kur mungonte Gjykata Kushtetuese, jo vetëm për shpejtësinë, por edhe cilësinë që përgatit, shpresoj që dokumenti i Venecias të jetë pa ekuivok. Unë besoj që do të ketë peshë dhe nuk do ngelet në vullnetin e institucioneve dhe do të jetë Gjykata Kushtetuese që me përgjegjësinë do ta zbërthejë në vendim përfundimtar që do thotë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve në 2019”.
Rrëzimet e ankimimeve për zgjedhjet e 25 prillit në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor për Ivi Kason ishin të pritshme, pasi sipas tij mazhoranca ka treguar që ka përdorur çdo mjet për mandatin e tretë.
“Ishte e pritshme që KAS e kolegji nuk do i merrnin parasysh ankimimet tona, se kjo mazhornancë ka vërtetuar që në funksion të arritjes së rezultatit të saj dhe mandatit të tretë nuk do të linte pa përdorur asnjë mjet siç ndryshoi kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Nuk kemi pasur dyshim që KAS e Kolegji do të ishin në presion politik. Ne kemi pasur pritshmëri që institucionet e reja të kishin një farë pavarësie që të ngriheshin në lartësinë e detyrës. Kemi zhgënjim që nuk u ngritën në lartësinë e detyrës”.
Sa i takon raportit të Asamblesë së KiE, Kaso shton se opozita nuk synon që të keqen për Shqipërinë ta kthejë në favor politik, por thekson se interesi i saj janë zgjedhjet me standarde ku përmend edhe disa hapa përmirësues si implementimi i teknologjisë.
“Jemi duke konsideruar të gjitha hapat e mëtejshëm, por nuk kufizohen me një ankesë në kushtetuese. Dhe më pas ka edhe hallka të tjera që jo vetëm monitorojnë, por kanë edhe aspekt vendimmarrës. Ishin të vetmet gjetje të raportit se fenomenet që ne kemi evidentuar ishin aq sistematike në të gjitha zonat zgjedhore. Është një sinjal jo i mirë sa i takon vlerësimit përfundimtar. Të gjitha palët e kanë quajtur si nota që i vë. Pres që raporti ta theksojë dozën e paligjshmërive dhe besoj që shumë nga gjetjet që ne kemi bërë janë vërejtur nga observatorët e pavarur. Ne nuk synojmë të kapitalizojmë atë që është me e keqe për Shqipërinë dhe ta kthejmë në favor politik. Interesi ynë ka qenë që shqiptarët të kenë zgjedhje me standarde. U shënuan disa hapa pozitivë si implementimi i teknologjisë që u shënuan me insistimin e fortë të opozitës. Do të insistojmë edhe në eliminimin e fenomeneve negative si një hap përpara në rrugën e integrimit”.
Analiza e brendshme, marrja e përgjegjësive dhe aksioni politik në të ardhmen janë tre hapat që PD do të ndërmarrë pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit. Kaso thekson se përveç përballjes në parlament do të ketë edhe protesta.
“Rezultati përfundimtar nuk ishte ai që prisnin shqiptarët dhe kjo e vë PD në një analizë serioze. Nuk u arritën pritshmëritë. Marrja e përgjegjësive dhe aksioni politik për të ardhmen. Kemi kërkuar të vlerësohet performanca e të gjithëve ne dhe kryetarit të PD-së. Kristalizimi i aksionit politik në të ardhmen se na presin sfida të mëdha përpara. Përballja në parlament duhet të jetë e qartë dhe nga ana tjetër përdorimi i rrugëve të protestës”.
Kaso thekson se askush nuk mund të fshihet pas mandateve, ndërsa beson te kthimi i vendimmarrjes në PD tek anëtarësia.
“Kam besuar dhe kam kërkuar idenë e fuqisë vendimmarrëse në PD tek anëtarësia, që duhet të vlerësojë performancën e gjithsecilit. Asnjë organ i partisë nuk mund të fshihet pas mandateve aq më tepër kur është kërkuar vlerësimi i performacës dhe të gjithë duhet të mbajmë përgjegjësitë. Është Këshilli Kombëtar mes dy kuvendeve dhe unë besoj te kthimi i vendimmarrjes që është Kuvendi. Unë besoj se në çaste krize si kjo nevojitet një vlerësim më i lartë se organet vendimmarrëse në opozitë të zakonshme dhe në këtë rast është Këshilli Kombëtar që do të japë vlerësim më të mirë për këtë gjë”.
Lidhur me propozimet për nxjerrjen nga kriza të PD-së, Kaso e mohon se ka krizë të brendshme në parti, por ndërsa vlerëson Manifestin politik të Kadillit, thotë se PD duhet të kthehet te baza dhe anëtarësia për të zgjedhur figurat më të mira të saj.
“Nuk besoj që PD është e përfshirë nga një krizë e brendshme jemi në krizë demokracie dhe PS si shpresa e shqiptarëve gjendet përballë vendimmarrjeve ka përgjegjësi për të zgjedhur rrugën më të mirë dhe me pak kosto për shqiptarët. Shpërndarje të fuqisë vendimmarrëse. Quhet kthimi i përzgjedhjes së figurave që përfaqësojnë PD-në te baza dhe anëtarësia të zgjidhen figurat më të mira të PD-së dhe çdo degë të ketë përfaqësuesin e vet në parlament që zëri i anëtarësisë të dëgjohet. Ta kthejmë statutin në një statut më të mirë dhe PD-ja në një strukturë ku gjithkush gjen veten. Dhe janë shprehur qartë në manifestin e Kadillit dhe ka pasur përkrahje”. (A2 Televizion)