
TIA: Rikthehet sot normaliteti në trafikun ajror
Rikthehet sot normaliteti në trafikun ajror me funksionimin total të kapaciteteve të aeroportit, pas mbërritjes dje në vend të kontrollorëve turq dhe grekë që do të asistojnë kompaninë deri në mbylljen e hetimeve dhe zbardhjen e çështjes që çoi në bllokimin e trafikut për më shumë se 24 orë. Ndërkohë që dje, linja Tiranë-Dubai dhe anasjelltas funksionoi nëpërmjet aeroportit të Podgoricës dhe pasagjerët u çuan dhe u morën prej andej nga vetë autoritetet aeroportuale shqiptare.
Mohoi gjenocidin serb, kërkohet dorëheqja e ministrit malazez
Një debat politik që ka përfshirë shumë palë është krijuar në Mal të Zi pasi ministri i Drejtësisë, Vladimir Leposaviç, mohoi gjenocidin serb në Srebrenicë. Madje, ai shkoi me tej kur tha se Gjykata e Hagës ka fshehur krimet e supozuara shqiptare ndaj serbëve në Kosovë. I menjëhershëm ishte reagimi i zv.kryeministrit, Dritan Abazoviç, i cili citoi kryeministrin e vendit kur tha se presin që ministri të japë sot dorëheqjen para se ta shkarkojnë me votë në kabinet. “Ne nuk do të veprojmë jashtë parimeve tona”, tha Abazoviç.
Paketa e 5 e ndihmës kundër Covid në Maqedoninë e Veriut, Zaev: Aplikoni
16 mijë persona që mbetën të papunë si pasojë e masave shtrënguese kundër Covid 19 në Maqedoninë e Veriut, i kërkuan kryeministrit Zoran Zaev të gjejë një zgjidhje për kompensimin e tyre. Kështu, që nga sot e deri më 15 prill të gjithë ata janë përfshirë në këtë skemë në mënyrë që qeveria të bëjë një përllogaritje për të paraqitur në parlament për votim ndryshimin e buxhetit. "Në mënyrë që të kompensohet kjo periudhë e humbur, me një vendim amendamenti, jepet mundësia për të aplikuar deri më 15 prill, për të dy muajt shkurtin dhe marsin", tha Zaev duke konfirmuar se vendi gëzon një ekonomi të fortë.
Presidentja e Bankës Europiane, Lagarde: Vijoni politikat mbështetëse
Covid-19 ka shkaktuar shumë probleme në ekonominë botërore, por është thelbësore të shmanget tërheqja e politikave të mbështetjes para kohe, si në frontin monetar ashtu edhe në atë fiskal". Kjo është deklarata e presidentes së BQE, Christine Lagarde, në fjalën e saj në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Që nga tetori 2020, perspektiva ekonomike globale është përmirësuar falë progresit të fushatave të vaksinimit anti-Covid dhe politikave të fuqishme të mbështetjes së ofruar për ekonomitë tona", shtoi ajo.
Pompeo në një detyrë të re, siguron kontratën me Fox News
Pas ish-zv.presidentit amerikan që siguroi një pagesë të majme për shkrimin e dy librave mbi administratën Trump edhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka gjetur diçka tjetër për t’u marrë tani e tutje. Ai është punësuar nga Fox News si një "bashkëpunëtor" në një emision politik. "Synoj t'iu jap shikuesve një pamje të sinqertë dhe konkrete të gjeopolitikës, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të Amerikës së Parë që ndihmoi në vendosjen e kursit për prosperitetin dhe sigurinë e paparë amerikane", komentoi Pompeo në lidhje me këtë zhvillim të ri. (A2 Televizion)