Pasojat e bllokimit: Në dyert e aeroportit, ku nuk niset asnjë avion

Nga A2 CNN
8 Prill 2021, 19:57 | Aktualitet
Pasojat e bllokimit: Në dyert e aeroportit, ku nuk niset asnjë avion

Viktima të një përplasjeje të nxehtë midis qeverisë dhe kontrollorëve të trafikut ajror. Të bllokuar në derën e jashtme të një aeroporti, ku nuk mund të niset asnjë avion.

Kjo është ecejakeja dyditore për shumë pasagjerë që sot shpresonin të niseshin drejt shtëpive, familjeve, punëve të tyre, por edhe drejt spitaleve ku duhet të bënin vizita dhe trajtime.

Qeveria kishte shpresuar në rikthimin në punë të disa prej kontrollorëve dhe kishte lajmëruar se fluturimet mund të nisnin në orën 10:00. Më pas pasagjerëve iu komunikuan afate të ndryshme, duke krijuar konfuzion dhe frustrim pas çdo orari të djegur.

Në mesditë, ministrja njoftoi se rivënia në funksion e kullës së kontrollit do të ishte e pamundur.

Krahas pritjes së gjatë dhe një tjetër dite të kaluar në tokë, për qytetarët kjo nënkupton kosto shtesë dhe mundësi të djegura.

Gjatë ditës, Albcontrol bëri zyrtarisht kërkesë vendeve partnere për të siguruar kontrollorë të kualifikuar. Thirrja mori përgjigje. Edhe pse jo zyrtarisht, në kullën e kontrollit u pozicionuan zëvendësuesit e kolegëve shqiptarë, që mundësuan uljen e avionit që mbante ngarkesën e vaksinave kineze nga Turqia.

Në pritje zyrtarizimit të zëvendësuesve, Ministrja njoftoi rinisjen e fluturimeve për pasagjerët, duke filluar nga e premtja.

Një tjetër afat për udhëtarët e  rreth 37 fluturimeve që sot mbetën në tokë, dhe një e nesërme sërish e pasigurt. E tashmë stresi shtohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos