
Pas eliminimit të Interit nga kompeticionet evropiane, trajneri i zikaltërve, Antonio Conte, u shpreh se ekipi dha maksimumin në barazimin 0-0 ndaj Shakhtar dhe shtoi se Interi nuk u respektua nga arbitrat e Champions League.
“Skuadra dha maksimumin. E vetmja gjë e çuditshme është se në 180 minuta kundër Shakhtar, nuk shënuam gol. E pabesueshme që portieri i tyre ishte lojtari më i mirë në të dyja ndeshjet. Tani jemi të zhgënjyer, vlerësimet e tjera do t’i bëjmë me gjakftohtësi. Por, dua të them se nuk kemi qenë me fat me arbitrat dhe VAR-in. Nëse kthehemi pas dhe shikojmë disa situata, them se nuk na respektuan”, deklaroi Conte.
Në lidhje me zëvendësimet, që u dukën paksa të vonuara, trajneri i Interit shpjegoi: “Sanchez do të na zhbilanconte, ndërsa në mesfushë aq futbollistë kishim në dispozicion. Zgjodha t’i jap 20 minuta Sanchezit dhe Eriksenin ta fusja kur Lautaro mos të kishte më energji. Futa në lojë Perisic në minutën e 65, pastaj futa Sanchez dhe Eriksen. Pra, dy sulmues krahu, dy sulmues qendre dhe mesfushorë ofensivë. Nuk kisha çfarë të bëja më shumë”. (A2 Televizion)