Deda: Mos devijojmë nga masakra elektorale, ka njerëz brenda partisë që nuk flasin kundër Ramës por kritikojnë Bashën

Nga A2 CNN
10 Maj 2021, 11:15 | Aktualitet

Julian Deda nuk është vetëm një nga figurat me të njohura të humorit shqiptar, por edhe mbështetës aktiv i Partisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit të saj Kombëtar. Pas 25 prillit ka filluar brenda demokratëve një debat i fortë që ve në diskutim lidershipin e ardhshëm të Lulzim Bashës, me emra edhe të rëndësishëm që i kanë dalë kundra, si ish-presidenti Bujar Nishani. Për Dedën, i ftuar në A2, këto polemika rrezikojnë të devijojnë vëmendjen nga problemi madhor. “Ideja është që të mos shfokusohemi nga masakra elektorale që është bërë. Detyra e PD dhe e kryetarit është të vërtetojë këtë, pra blerjen e votës. Çdo gjë tjetër më duken si elementë për të hequr vëmendjen nga kjo histori”. Nishani ka qenë zë kritik, por Deda nuk bën emra të përveçëm. “Të kërkosh nga PD ose të japësh sugjerime është e drejta e cilitdo, por unë them që ata që kanë ulur dy gishtat në ajër nuk mund t’i vejnë gishtin një personi. Ka shumë persona që nuk kanë dhënë asnjë kontribut. Dhe nuk po flas për njerëz jashtë partisë, por njerëz brenda saj që mund të kontribuonin në fushatë dhe t’i thoshin dy fjalë për Edi Ramën, përpara se të kritikonin Bashën. Në korrik ka zgjedhje, secili mund të futet në garë si kandidat për kryetar”, thotë ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos