
Presidenti amerikan, Joe Biden, mbrojti deklaratën e bërë në Varshavë të Polonisë, ku tha se Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë në pushtet.
“Shpreha zemërimin moral ndaj këtij njeriut, nuk po kërkoja ndryshim të regjimit”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, teksa refuzoi të tërhiqej nga komenti apo të kërkonte falje.
“Pikë së pari nuk tërheq asgjë. Fakti është se po shprehja zemërimin që ndjej ndaj veprimeve të këtij njeriu, ndaj brutalitetit që po ushtrohet te fëmijët në Ukrainë. Kështu dua ta bëj të qartë, se as atëherë e as tani nuk po artikuloj një ndryshim të politikave. Po shprehja zemërimin moral që ndjeja. Nuk kërkoj falje”, u shpreh presidenti amerikan.
Komenti i ashpër i presidentit Biden për Putinin, në fund të një fjalimi të shtunën në Varshavë, nxiti polemika në Shtetet e Bashkuara dhe tronditi disa aleatë në Evropën Perëndimore. Por presidenti Biden hodhi poshtë idenë se deklarata e tij mund të përshkallëzonte tensionet në lidhje me luftën në Ukrainë ose se do të ushqente propagandën ruse për agresionin perëndimor.
"Askush nuk beson se unë po flisja për rrëzimin e Putinit. Gjëja e fundit që dua të bëj është përfshirja në një luftë tokësore ose bërthamore me Rusinë. Duke parë sjelljen e tij, njerëzit duhet të kuptojnë se ai do të bëjë atë që do, pavarësisht të gjithave. Ai nuk ndikohet nga askush, fatkeqësisht as nga këshilltarët e vet.”
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha në përgjigje të komentit të Presidentit Biden se “bota ka nevojë për ulje të tensioneve ushtarake dhe atyre retorike.”
Sakaq, presidenti Emanuel Macron u shpreh kundër përdorimit të fjalëve të tilla që mund të pengonin përpjekjet për të ndalur luftën në Ukrainë. (A2 Televizion)