Del në shitje guri hënor, u gjet në shkretëtirën e Saharasë

Nga A2 CNN
2 Maj 2020, 12:52 | Bota

Një nga meteorët më të mëdhenj hënor do të dalë në shitje në një ankand privat, që do të organizohet nga shtëpia e ankandeve Christie’s, dhe paraprakisht ekspertët kanë vlerësuar atë për shumën e 2 milionë paundeve apo 2.5 milionë dollarëve.

Guri hënor, me peshë 13,5 kilogramë me shumë gjasë është shkëputur nga sipërfaqja e hënës pas një përplasjeje me një asteroid apo një kometë, dhe më pas ka rënë mbi shkretëtirën e Saharasë, atje ku edhe është gjetur. E njohur shkencërisht me emrin NWA 12961, mendohet se ky gur është i pesti më i madhi hënor, që është zbuluar ndonjëherë në tokë. Mbi tokë deri më sot mendohet se janë gjetur gjithsej 650 kg gur hënor.

Guri hënor me peshë 13,5 kg

“Bëhet fjalë vërtet për një copë të shkëputur nga hëna. Ai ka madhësinë e një topi futbolli, ndoshta pak më shumë se aq, ose të themi më e madhe se koka e njeriut. Peshon 13.5 kg dhe është copa e pestë më e madhe e një guri hënor zbuluar nga njeriu deri më sot në tokë”, u shpreh James Hyslop, nga Departamenti i Historisë Natyrore dhe Shkencës, Christie’s.

Si shumica e meteorëve të tjerë të zbuluar ndër vite, edhe ky gur është gjetur në shkretëtirën e Saharasë nga një zbulues i panjohur. Fillimisht mendohej se bëhej fjalë thjesht për një meteorit. Më pas, ka kaluar dorë më dorë derisa mbërriti pranë ekspertëve, që nisën menjëherë analizimin e tij, për të përcaktuar në qoftë se bëhej fjalë për një meteor të thjeshtë apo për një gur me origjinë hënore.

James Hyslop, departamenti i historisë natyrore dhe shkencës, Christie’s

“Eksperienca e mbajtjes së një guri të tillë, kaq të rrallë, në duart e tua është diçka që nuk e harron dot kurrë. Të gjithë meteorët janë jashtëzakonisht të rrallë. Totali i koleksionit të meteoritëve në tokë është thuajse i njëjtë me prodhimin vjetor të arit në të, ndaj në qoftë se mendoni se sa i rrallë dhe me vlerë është ari, mendoni se edhe meteorët janë po aq të rrallë dhe me vlerë”.

Shkencëtarët dhe kërkuesit janë të sigurtë 100% se ky gur është shkëputur nga hëna për faktin e thjeshtë sepse e kanë krahasuar me kampionë të gurëve të tjerë të gjetur dekada më parë dhe sjellë më pas në tokë, nga anija hapësinore amerikane “Apollo” gjatë misionit të tyre në hënë.

“Në vitet 1960-1970, programi hapësinor Apollo solli me vete në tokë thuajse 400 kg gur hënor. Ndaj sot shkencëtarët kanë qenë lehtësisht në gjendje të analizojnë kompozimin kimik dhe izotopi të këtij guri dhe mund të themi me siguri 100% se meteoritët përkojnë më së miri”.

Meteorët janë të rrallë dhe vetëm një në 1 mijë vjen nga hëna, duke e bërë këtë objekt jashtëzakonisht të rrallë dhe me shumë vlerë.

“Presim shumë interes ndërkombëtar, flas për muzetë natyrore dhe ato historike. Ky gur do të ishte një trofe i jashtëzakonshëm për çdokënd që është i interesuar për historinë e hapësirës apo eksplorimin e hënës. Çmimi fillestar i saj është 2 milion paund apo 2.5 milionë dollarë”.

Hëna, përbërja e sipërfaqja e saj kanë mahnitur dhe tërhequr njeriun që në kohë të lashta si një simbol i fuqisë, dashurisë, kohës dhe prosperitetit dhe hëna është i vetmi satelit natyror i tokës. Mendohet se ajo është formuar 4.5 miliard vjet më parë kur një trup me madhësinë e planetit mars, është përplasur me tokën. Shtëpia e ankandeve Christie’s do të nxjerrë në shitje, bashkë me gurin hënor, edhe një grup prej 13 meteorësh estetikë prej hekuri. Koleksioni i tyre vlerësohet paraprakisht të kushtojë 1.4 milionë paund.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos