
Pas dështimit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i ka hedhur poshtë akuzat se kishte një pazar për këmbim të votave të Ardian Dvoranit me Ledio Brahon. Në një konferencë me gazetarët, numri dy i PS-së tha se faktet treguan që nuk është e vërtetë për këmbim të votave të Ardian Dvoranit me Ledio Brahon. Sipas tij, emri i Avokatit të Popullit duhet të jetë një figurë konsensuale nga të gjitha palët dhe jo politike.
“Është spekulim që ka pasur një pazar që e quajtën disa, apo përpjekje për këmbim të votave për kandidatin e Gjykatës Kushtetuese, të zotit Dvorani me zotin Braho për Avokat të Popullit. Kjo nuk është e vërtetë. Shumica e votave shkuan në favor të kandidatit tjetër. Nuk ka pasur asnjë tendencë me vota e një shumice të cilësuar dhe kjo në këmbim të Avokatit të Popullit. Dhe faktet e konfirmojnë”.
Për Gjiknurin, emri i Ledio Brahos është i politizuar dhe zgjatim i zyrës së PD-së.
“Sa i përket emrit, kur vjen puna tek Avokati i Popullit presupozohet një figurë konsensuale, një figurë e parapëlqyer nga opozita pa ngarkesa politike mos të kthehet në emërim apo zyrë politike të një partie. U gjykua nga diskutimet që u bënë dhe në grupin socialist dhe emri i Ledi Brahoas i cili është një jurist i respektuar, është i politizuar dhe është direkt zgjatim i zyrës së PD-së dhe kështu do të përkthehej dhe pozicioni i tij si Avokat i Popullit”.
Ai tha se mazhoranca do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe njoftoi dialog të dytë me opozitën.
“Mazhoranca do të eksplorojë të gjitha mundësitë që të ketë pëlqyeshmërinë e opozitës dhe mund të ketë dialogim të dytë dhe thirrje të hapur siç e parashikon dhe rregullorja dhe duhet të ketë parapëlqimin e opozitës dhe i pranueshëm për ne. Zgjedhjet konsensuale përputhen tek emrat.” (A2 Televizion)