
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se forca e tij politike do të fitojë patjetër Bashkinë e Elbasanit, pavarësisht vlerësimit për kandidatin kundërshtar. Ai la të kuptohet se Gledian Llatja do të jetë kandidati i PS-së për një mandat të dytë për qytetin.
“Zoti Llatja ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka pëlqyeshmëri nga qytetarët. Madje në disa sondazhe del shumë i pëlqyer. Ka ende kohë deri atëherë. Por mendoj që në Elbasan PS do të fitojë, jo vetëm për faktin që zoti Llatja është një djalë i ri, që përfaqëson një frymë të re në politike”, tha Gjiknuri.
“Kam respekt personal qytetar për kandidatin tjetër, por zoti Boçi nuk përfaqëson asgjë të re, një figurë që qarkullon prej 20 vitesh në Elbasan. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të përmirësohet, por pompimi vjen nga fakti që e kanë ngritur në detyrë në parti. Megjithatë, edhe sikur të jetë garë e fortë, gara është më e bukur kur është e fortë”. (A2 Televizion)