
Zjarri i rënë mesnatën e së hënës në godinën dykatëshe monument kulture, pranë qendrës së Tiranës, e njohur si Sarajet e Toptanve, ka qenë i qëllimshëm.
Ky është dyshimi kryesor i ngritur nga grupi hetimor, që po punon për zbardhjen e rrethanave të zjarrit që shkaktoi vetëm dëme materiale. Prova kryesore ku bazohet ky dyshim janë pamjet filmike të kamerave të sigurisë në bizneset pranë Sarajeve.
Në pamjet e sekuestruara tashmë nga grupi i hetimit, shfaqen të paktën dy persona që mund të jenë përfshirë në zjarrvënien e monumentit të kulturës. Një prej tyre, që duket në këtë video të publikuar nga kreu i bashkisë Tiranë, personi që largohet me vrap në rrugicën përballë Sarajeve është rreth të 30-tave dhe i pamaskuar.
Të njëjtat pamje, duket se do të jene thelbësore edhe në identifikimin e autorëve të dyshuar dhe ndalimin e tyre.
Vatra e zjarrit tek Sarajet e Toptanit u kostatua në orën 23:49 të së hënës. Ndërhyrja e zjarrfikësve mundësoi fikjen e zjarrit në kohë dhe shpëtimin e një dëmtimi fatal të monumentit kulturor.
Grupi hetimor që bëri këqyrjen e vendit të ngjarjes konstatoi se, zjarri ishte vendosur në dy vatra nga ana e pasme e godinës, duke thyer dritaret e katit të parë, ndërsa janë marrë mostra për të përcaktuar llojin e lëndës djegëse të përdorur.
Burime të A2 konfirmuan se referimi i ngjarjes në Prokurorinë e Tiranës do të bëhet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. (A2 Televizion)