Shullazi refuzon zgjatjen e izolimit, kërkesë në gjykatë kundër "41 bis"

Nga A2 CNN
16 Gusht 2021, 15:40 | Kronikë
Shullazi refuzon zgjatjen e izolimit, kërkesë në gjykatë

Emiliano Shullazi i kërkon Gjykatës së Posaçme ta lirojë nga qelitë e regjimit të egër “41 bis”. Në këtë regji, që ka për qëllim ndërprerjen e kontakteve kriminale jashtë burgut, Shullazi qëndron prej gushtit të vitit të kaluar.

A2 mësoi se Shullazi ka depozituar një kërkesë në gjykatë përmes avokatit të tij, ku kërkon shfuqizimin e vendimit të Ministres së Drejtësisë, të datës 31 korrik 2021, për zgjatjen me një vit tjetër të mbajtjes së tij në këtë regjim. Sipas burimeve, Shullazi pretendon se nuk ka kushte ligjore për izolimin e tij.

Të njëjtën kërkesë ka paraqitur në gjykatë edhe i bashkëpandehuri i tij, Endrit Qyqja. Shullazi dhe Qyqja janë të vetmit e dosjes së tyre, për të cilët u zgjat afati i mbajtjes në “41 bis”, ndërsa të bashkëpandehurit Gilmando Dani, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi kaluan në regjim të zakonshëm burgu.

Më herët, ata shkuan deri në Gjykatën e Lartë, por pa mundur të shpëtonin nga “41 bis”. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë duke vuajtur një dënim me 55 vite burg në total për “gjobëvënie” dhe “grup të strukturuar kriminal” dhënë nga Shkalla e Parë. Shqyrtimi i çështjes së tyre në Apel nuk ka nisur prej më shumë se dy vjetësh.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos