Dhuna në Kapitol, vijojnë arrestimet, shqetësim për sigurinë e ligjvënësve

Nga A2 CNN
11 Janar 2021, 11:21 | Bota
Dhuna në Kapitol, vijojnë arrestimet, shqetësim për

Ndërsa hyjmë në një javë të re, dhe jemi më pranë inaugurimit të presidentit të zgjedhur Biden, shqetësimet pas sulmit të Kapitolit, janë të mëdha. Godina është rrethuar tani nga një gardh 2 metra i lartë dhe qindra pjesëtarë të gardës kombëtare. Ata do të mobilizohen edhe gjatë ceremonisë së betimit të mërkurën.

Deri më tani, rreth 12 persona janë akuzuar nga autoritetet federale për përfshirje në turmat e dhunshme që mësynë Kapitolin. Mes tyre, një burrë të cilit iu gjetën 11 bomba artizanale në kamionin e parkuar pranë Kongresit, plus një pistoletë automatik, pushkë dhe municione. Prokurorët thonë se ai kishte dy pistoleta kur polica e gjeti.

Një tjetër person është akuzuar për dërgimin e mesazheve kërcënuese ndaj kryetares së dhomës së përfaqësuesëve, Nancy Pelosi. Kur u gjet nga policia ai kishte armë zjarri dhe qindra plumba në një automjet të parkuar pranë një hoteli në Uashington. Por, ky është vetëm fillimi. Prokurori në detyrë i Uashingtonit tha se qindra njerëz mund të përfundojnë në pranga, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Qindra prokurorë dhe agjentë të FBI-së po punojnë nga 3 qendra komande, 24 orë në ditë. Ka shqetësime në rritje për sigurinë e pjesëtarëve të Kongresit, shumë prej të cilëve janë parë teksa përballeshin me thirrje të zemëruara nëper aeroporte, teksa udhëtonin nga dhe për në Uashington. Siç mësohet per të gjithë ata, do të ketë masa sigurie shtesë gjatë udhëtimeve. Policia e Kapitolit po koordinohet me agjenci të tjera të sundimit të ligjit për të garantuar sigurinë e ligjvënësve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos