
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët deklaroi edhe njëherë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Zyrtari i lartë komentoi dhe incidentet e fundit në veri të Kosovës për shkak të masave të vendosura nga qeveria Kurti për reciprocitetin dhe e konsideroi takimin e radhës në Bruksel mes liderëve të dy vendeve si një mundësi shumë të mirë për të sheshuar mosmarrëveshjet.
“Nuk do thosha se është thjeshtë një shtyrje, do të thosha se është një mundësi për të gjetur zgjidhje që do të ndihmonte integrimin dhe qëndrueshmërinë rajonale. Në të njëjtën kohe në shpresojmë për diskutime më të gjera se si të dyja vendet mund të ecin përpara për të krijuar mundësi për marrëdhënie më të mira, për integrim në Evropë. Mendoj që ky muaj do të krijojë mundësi për të përparuar në më shumë gjera jo vetëm në çështjen e targave”, tha Escobar.
I dërguari i Posaçëm shtoi se mes marrëveshjeve që duhet të zbatohen është dhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e cila sipas tij është diskutuar edhe në takimin e presidentes dhe kryeministrit të Kosovës me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
“Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti", shtoi Escobar. (A2 Televizion)