Dialogu me Serbinë, Kurti: Reciprociteti i plotë zëvendëson taksën 100%

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2020, 19:06 | Kosova
Dialogu me Serbinë, Kurti: Reciprociteti i plotë zëvendëson

Taksa 100% për mallrat e Serbisë po shkon drejt pezullimit. Kryeministri Albin Kurti tha se ajo masë ndëshkuese do të zëvendësohet nga reciprociteti i plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Shefi i ri i qeverisë së Prishtinës mbajti këtë qëndrim në prani të shefes së Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilën mbajti dhe një konferencë për shtyp.

“Ne konsiderojmë se jemi këtu ku jemi, ku si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet, politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100%. Ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti në parimin i cili më së shumti njihet në vlerën e tij në raporte fqinjësore bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, shefja e zyrës së BE-së tha se Brukseli do të vazhdojë mbështetjen për Prishtinën me projekte të reja dhe sugjeroi që taksa 100% ndaj Serbisë të hiqet. Gjithashtu theksoi rëndësinë e rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “Tani po presim që Qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do të trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashikojmë se cila do të jetë zgjidhja vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë. Për ne është shumë me rëndësi që dialogu me Serbinë të fillojë”, tha Apostolova. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos