
Erinda Ballanca ka mbajtur postin e Avokatit të Popullit nga viti 2017, në një vend ku nuk mungojnë çështjet e njëpasnjëshme, përplasjet me institucionet dhe ekspozimi mediatik. A është ajo e lodhur apo do të dëshironte një mandat tjetër, ndërkohë që ai i tanishëm është drejt përfundimit.
“Avokati i Popullit është një përgjegjësi, jashtëzakonisht e bukur, që të lejon të rrisësh standartin. Krijon përplasje me institucionet shtetërore, sepse Avokati i Popullit del kur ka shkelje të drejtave të njeriut. Unë nuk jam njeri që lodhem, është një nga karakteristikat e mija, por secili prej nesh duhet ta kuptojë se është në një mandat të caktuar për një periudhë të caktuar”, thotë avokati i Popullit në “Intervistë”.
Sipas saj, ndryshimi duhet vlerësuar. “Kam pasur një kontrate 5-vjeçare me Parlamentin, me shqiptarët, u jam betuar që për 5 vjet do të ushtroja këtë mandat. Besoj se është gjithnjë mirë të ketë persona të ndryshëm, një fryme të re. Prandaj në qoftë se do të kishte kandidatë me konsensus dhe janë të vlefshëm, do të isha shumë mbështetëse për një ndryshim, sepse ndryshimet, shpresoj, sjellin avancim”.
Por Ballanca nuk do t’ i thoshte ”jo” një rikandidimi të mundshëm. “Sigurisht, për mua do të ishte nder të propozohesha edhe një herë, por nuk do ta gjykoja si tragjedinë më të madhe po nuk ndodhi. E rëndësishme është që kushdo që të vij, të mundohet ta çojë përpara standartin dhe arritjet.
Unë vetë kam shumë kritika ndaj vetes, por asgjë në këtë botë është perfekt, ne jemi munduar në maksimum, me kapacitete shumë të kufizuara. Të drejtat e njeriut nuk mbrohen me orar 8 me 4, por me zemër”, deklaroi ajo në A2 CNN. (A2 Televizion)