
Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër pas vendimit të Presidentit të Republikës Sërpska të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik për t'i dhënë presidentit rus Vladimir Putin "Urdhrin e Republikës Sërpska".
"Në Bashkimin Evropian nuk ka vend për nderimin dhe shpërblimin e politikanëve që urdhërojnë shkatërrimin e një vendi fqinj dhe vrasjen e popullit të tij. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ky vendim i udhëheqjes së Republikës Sërpska është për keqardhje dhe i gabuar”, u shpreh pas kësaj ngjarje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Presidenti Milorad Dodik akordoi më 8 janar çmimin për homologun Putin me motivacionin për kujdesin patriotik dhe dashurinë për Republikën Sërpska.
Autoritetet e Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur në Sarajevë në vitin 1992 Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb, miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjë-Hercegovinës, si entitet i pavarur brenda Bosnjë-Hercegovinës. (A2 Televizion)